Më 11 korrik, Qeveria e Kosovës, do të lëshonte një komunikatë për të dhënë detaje për marrëveshjen për shtensionimin që u arrit në Bratisllavë, mes Besnik Bislimit, kryenegociator i Qeverisë Kurti, dhe Miroslav Lajçak, përfaqësuesin e Lartё i Bashkimit Evropian. Marrëveshja rezultoi me zbythjen e Kurtit duke tërhequr tashmë shumicën e Policisë së Kosovës përreth ndërtesave komunale. Megjithatë, rreth një muaj nga marrëveshja e Bratislavës, përveç zbatimit të plotë të pikës së marrëveshjes për tërheqjen e prezencës policore në dhe rreth objekteve komunale, ende nuk ka një plan të qartë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.
Jo shumë larg nga marrëveshja e Bratisllavës, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabiel Escobar, do të jepte një përditësim të fundit të zhvillimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve.
Duke adresuar shqetësimet e ngritura nga republikani Thomas Kean, Escobar përmedi planin trëpikësh të ShBA-së dhe BE-së që synon deeskalimin e situatës dhe nxitjen e stabilitetit. Lidhur me hapat e palëve drejt de-përshkallzimit, Escobar tha se kërkoheshin përpjekje të mëtejshme nga pala kosovare.
“Nuk e kemi marrë plotësisht atë përkushtim nga pala kosovare”, kishte deklaruar Escobar.
Ndonëse Qeveria e Kosovës kishe treguar gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit, përveç zvogëlimit të prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale, ende nuk ka përcaktim të qartë për zgjedhjet e ardhshme.
Kurti përmend peticionin si zgjidhje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të insistojë se peticioni është zgjidhja më e mirë për zgjedhjet e reja në veri.
Ai theksoi ditë më parë se vetëm kur 20 për qind e trupit elektoral shprehin vullnetin për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual, jepen dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo kandidim.
Kurti ka bërë të ditur se po bëhen përpjekje që sa më shpejt të adresohen çështjet teknike dhe administrative me zgjedhjet e ardhshme në veri.
“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual”, tha Kurti.
“Sa i përket masave, konsiderojmë se nuk janë të drejta. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që përfundojnë, aq më mirë, ne po bëjmë krejt çka mundemi e dijmë, por do të duhej që edhe partnerët e aleatët tanë evropianë sa më parë ta përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, sepse një Republikë demokratike si Kosova, meriton të ndihmohet e jo të ketë masa”, ka thënë ai.
Osmani thotë se “po punohet”
Ndërkaq, Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi me zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay i shoqëruar nga Sabri Demiri, këshilltar i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se prezenca Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar.
Më tej ajo ka thënë se është duke vazhduar puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut.
“Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani diskutoi edhe për hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratislavë. Presidentja Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve”, – thuhet në njoftimin e faqës së Presidentes në Facebook.
Tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë u rriten pas shpërthimit të protestave të dhunshme nga komuniteti serb në komunat veriore të Kosovës. Këto protesta kishin si qëllim të pengonin hyrjen e kryetarëve të zgjedhur në ndërtesat komunale. Situata krijoi një alarm ndërkombëtar, në vazhdën e frikës për një tjetër konfliktit në Evropë, në kontekstin e tensioneve ekzistuese të pushtimit rus të Ukrainës.