Kompania serbe për furnizim me energji (Elektrosever), ka arritur marrëveshje me Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), për furnizim me energji elektrike të katër komunave veriore të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, tha se është shumë e rëndësishme për Kosovën, që pas 23 viteve do të bëhet faturimi i energjisë elektrike në veri.
“Kjo është një marrëveshje komerciale mes dy operatorëve privat. Mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që pas 23 viteve do të fillojë të bëhet faturimi i energjisë elektrike në veri. Tashmë kushtet janë pjekur, siguria është në nivel atje dhe tani do të fillojë faturimi i energjisë elektrike. Për Kosovën si shtet është shumë e rëndësishme që përveç faturimit, edhe KEDS-i do të investojë në rrjetin atje, rrejt ky i cili nuk është investuar tash e 23 vite. Pra, tani është e sigurt që do të fillojë pagesa e energjisë elektrike nga qytetarët atje, njëjtë siç ndodhi me targat”, potencoi Thaçi.
I pyetur se a ka ndonjë datë konkrete se kur do të fillojë faturimi, Thaçi tha se dy operatorët mund të jenë dakorduar që fillimisht të nisin me matësit e orëve dhe pastaj me faturimin.
“Kjo nuk është marrëveshje ekzakte mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është marrëveshje ndërmjet dy operatorëve, KEDS-i e urdhëron Elektroserverin atje, apo kanë bërë ndonjë marrëveshje që së pari të fillojnë me matësit e orëve dhe pastaj me faturimin”, shtoi tutje Thaçi.
Më tej, ky i fundit tha se qytetarët e komunave veriore tashmë kanë siguri të njëjtë, ashtu siç e ka çdo qytetar i Republikës së Kosovës.