
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është deklaruar në lidhje me raportimet në media se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga posta e KQZ-së në Zagreb dhe të njëjtat i ka dërguar në Ambasadë.
Zëdhënësi Valmir Elezi, tha se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb është bërë sipas akteve nënligjore.
Ai theksoi se më pas do të merret edhe vendimi meritor lidhur me rastin.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”, tha Elezi për media.
Sot gjatë ditës, portali “Infokusi” ka raportuar se në një takim online të organizuar nga KQZ-ja, me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.
Sipas këtij mediumi, Berishaj ka deklaruar se ka tërhequr personalisht të gjitha zarfet me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Zagreb, ku ai drejton misionin diplomatik.