Masakra e Srebrenicës – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.
Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.
Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
Dokumenti – ndonëse nuk e përmend as entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e as Serbinë – nxiti reagime të furishme në të dyja këto vende.
Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.
Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi këtë muaj një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjallukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.
“Ishte një krim në fund të luftës. Pas lodhjes, urrejtjes, vuajtjes, hakmarrjes… Por, nuk ishte gjenocid”, u tha Dodik mbështetësve.
Dodik tha, po ashtu, se nëse OKB-ja e miraton rezolutën për Srebrenicën, Bosnje e Hercegovina do të ndahet. Ai tha se do të ndërmarrë edhe disa “masa të posaçme”, por nuk specifikoi më shumë.
Reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte i menjëhershëm. Ambasada amerikane në Sarajevë tha se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për shpërbërjen e Bosnjës.
“Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë, derisa ai ndjek agjendën e tij secesioniste dhe e shtyn Bosnje e Hercegovinën drejt konfliktit. Republika Sërpska është entitet brenda shtetit të Bosnje e Hercegovinës”, shkroi Ambasada amerikane në Sarajevë në platformën X.
Kundër rezolutës për Srebrenicën u angazhua në mënyrë aktive edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, miratimi i saj do të shkaktonte pasoja “në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në të drejtën publike ndërkombëtare, por edhe në vetë besueshmërinë e OKB-së si garantuese e paqes dhe rendit juridik në botë”.
Në përpjekje për ta parandaluar votimin pro, Vuçiq tha javën e kaluar se ka biseduar me zyrtarë të më shumë se 80 vendeve dhe se do ta vazhdojë “luftën e vështirë”.
Zharko Koraq, profesor në pension i Universitetit të Beogradit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Vuçiq e përjeton si “shuplakë” kundër tij rezolutën për Srebrenicën.
Ai thotë se regjimi i tij i ka normalizuar njerëzit e dënuar për krime lufte, të cilët, vazhdimisht, janë mysafirë nëpër studiot televizive.
“Pushteti në Serbi është i tronditur, sepse bota po tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën dhe se sjellja e Serbisë është e turpshme. Me retorikën që po bën, Vuçiq mbron veten e tij dhe politikën ku ka bërë pjesë”, thotë Koraq.
Në vitet ’90, Vuçiq shërbeu një kohë si ministër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, të cilin Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Vuçiq ishte edhe pjesë e Partisë Radikale serbe, e cila shprehte hapur ambicie për një “Serbi të madhe”, me tokat e vendeve fqinje.
Refik Hoxhiq, zëdhënës i dikurshëm i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, thotë për Exposenë se politika që ndjek Vuçiq sot, por edhe Dodik, është e njëjtë me atë të Millosheviqit dhe të Radovan Karaxhiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.
“Normalisht [kjo politikë sot] nuk i ka dhëmbët e njëjtë. Sot nuk është viti ’92 dhe qëllimet nuk mund të arrihen përmes rrugëve ushtarake, siç kanë menduar Sllobodan Millosheviq dhe Radovan Karaxhiq. Por, në aspektin narrativ dhe ideologjik, bëhet fjalë për politika identike”, thotë Hoxhiq.
Ai thotë se nuk i merr seriozisht kërcënimet e Dodikut, i cili edhe më herët ka thënë se nuk është i pajtimit që Republika Sërpska të jetë pjesë e Bosnje e Hercegovinës.
Koraq, i cili ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i Serbisë, thotë së Dodik po kërcënon tani në rrethana të tjera gjeopolitike, kur NATO-ja ka rritur praninë si në Bosnje e Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë.
“Po të isha në vendin e tij, do të mendoja mirë se si mund t’i përgjigjet bota provokimit të tij, në kohën kur ajo ka prioritete të tjera, si lufta në Ukrainë, konflikti në Lindje të Mesme, tensionet rreth Tajvanit, por, në të njëjtën kohë, vëzhgon edhe atë që ndodh në Bosnje e Hercegovinë”, thotë Koraq.
Koraq dhe Hoxhiq presin që rezoluta për Srebrenicën të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por nuk presin që të ketë ndonjë ndikim në marrëdhëniet mes vendeve në rajon.
Pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ecët përpara, thotë Hoxhiq.
“Kjo është sikur të vendosësh një fashë të vogël mbi një plagë të madhe që ende rrjedh gjak. Nuk mund të ecët përpara, pa i pranuar këto krime. Por, kjo natyrisht nuk mund të pritet nga Aleksandar Vuçiq dhe Millorad Dodik”.
“Andaj, rezoluta nuk do të ndryshojë asgjë te ta, por do të shërbejë si një element në procesin e përballjes me të vërtetën për udhëheqësit e ardhshëm të Serbisë dhe të Republikës Sërpska. Nuk dyshoj se kjo do të ndodhë, herët a vonë”, thotë Hoxhiq.
Në Serbi, disa organizata për të drejtat e njeriut i bënë thirrje Qeverisë së tyre dhe Vuciqit që ta mbështesin rezolutën e OKB-së për përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut tha se do t’u dërgojë një letër Kombeve të Bashkuara, në shenjë mbështetjeje për miratimin e rezolutës.
Edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i bëri thirrje asaj që ajo e quajti “elitë intelektuale” që ta mbështesë rezolutën dhe “të mos jetë e painteresuar për të ardhmen e Serbisë”.
“Elita intelektuale në Serbi është arrogante dhe e painteresuar për të ardhmen e Serbisë. Po të mos ishte kështu, a nuk do t’i thoshte presidentit Vuçiq të mos turpërohet duke luftuar kundër rezolutës së OKB-së, që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, shkroi Kandiq në rrjetin X.
Por, disponimi midis disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Beograd është, po ashtu, ndryshe-ndryshe.
“Për mua është e pranueshme që për të gjitha viktimat të ketë një ditë përkujtimore – qofshin ato te ne apo kudo në botë”, thotë Mara.
“Rezoluta është e turpshme. Nuk duhet të miratohet. Unë nuk e arsyetoj krimin, por kush e karakterizon krimin ndaj serbëve?”, pyet Branisllav Kërsmanoviq.
“Mendoj se nuk ishte gjenocid. Nuk duhet shqyrtuar fare. Është politikë kundër Serbisë”, thotë Miqa Millovanoviq.
Kur e karakterizoi si gjenocid masakrën e Srebrenicës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Deri më tash, më shumë se 50 individë janë të dënuar me rreth 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocidin e Srebrenicës.
Në vitin 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të ngjashme, e cila e shpalli 7 prillin si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin në Ruandë.
Në këtë vend të Afrikës Qendrore, gjenocidi ndodhi në vitin 1994, gjatë një luftë civile. Për vetëm 100 ditë, ekstremistët Hutu vranë rreth 800 mijë njerëz, kryesisht anëtarë të pakicës Tutsi dhe kundërshtarë politikë.
Nëse e miraton edhe rezolutën për Srebrenicën, blloku demokratik perëndimor do të mbyllte një kapitull të errët të viteve ’90, kur ndodhën të dyja këto gjenocide të mëdha, pasojat e të cilave rëndojnë ende./REL