Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka folur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Në një intervistë për Radio Kosovën, Torres është shprehur se ky është një mister i madh për të.
Sipas tij, është fundamentalisht e padrejtë që BE-ja ta dënojë në këtë formë Kosovën dhe jo Serbinë.
“Ky është një mister edhe për mua, kur në këtë formë BE dënon Kosovën dhe jo Serbinë. Kjo më duket fundamentalisht e padrejtë. Serbia është anëtare e Partneritetit për Paqe, kurse Kosova është e përjashtuar. Kosova është e radhitur krah BE-së, kurse Serbia me Rusinë. Qartazi mendoj se është zhgënjim që BE-ja është treguar e njëanshme ndaj Kosovës”, ka thënë Torres.
Kujtojmë se, Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor të vitit të shkuar dhe ato hynë në fuqi në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.
Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.