Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

MASHTI reagon pas raportimit se nxënësit po dënohen në mungesë librash

 
   

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka deklaruar se ka angazhuar Inspektoratin e Arsimit që të verifikojë rastet kur mësimdhënësit po i dënojnë nxënësit të cilët nuk posedojnë ende libra. Ministria ka thënë se për këtë do të përgatitet një raport dhe do të ndërmerren të gjitha masat në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjatë ditës, KosovaPress ka raportuar deklaratën e drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, se në disa shkolla nxënit dënohen me “qëndrim në një këmbë” për shkak të mungesës së teksteve shkollore.

“Rastet e dënimeve ose ndëshkimeve të nxënësve siç ka pretenduar drejtoresha, janë të papranueshme. Institucioni në krye të së cilit është znj. Drita Kadriu, ka përgjegjësi dhe detyrë për të reaguar në raste të tilla sipas legjislacionit në fuqi. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dërguar zyrtarët përgjegjës dhe ka angazhuar edhe Inspektoratin e Arsimit për t’i përcjellë nga afër pretendimet e deklaruara për çka do të përgatitet një raport i detajuar dhe do të ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet konform legjislacionit në fuqi”, ka shkruar MASHTI.

Sipas ministrisë edhe në Mitrovicë, procesi i furnizimit me tekste shkollore për klasat 1-5 është duke u përmbyllur me sukses.

Në reagim thuhet se “nuk kemi pranuar asnjë raport nga Drejtoritë Komunale për probleme me furnizim me tekste shkollore”.

“Ashtu siç tashmë jeni njoftuar, klasat 6-9 do të shfytëzojnë tekstet e vitit të kaluar ndërsa, do të subvencionohen për herë të parë për materiale shkollore. Më datë 26 maj 2023 kemi përcjellë tek të gjitha DKA-të, përfshirë DKA-në në Mitrovicë, njoftimin në lidhje me vendimin e mësipërm, dhe kemi kërkuar prej tyre që të ruajnë tekstet e vitit të kaluar, dhe të njëjtat t’i përcjellin tek nxënësit e vitit aktual. Më datë 25 gusht 2023 e kemi ridërguar këtë njoftim dhe nuk kemi marrë informatë për mungesë të teksteve për klasat 6-9, për tekste të dëmtuara që nuk mund të përdoren më, apo ndonjë kërkesë për tekste shtesë”, ka deklaruar MASHTI./KosovaPress