Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është përplasur me deputetin e AAK-së, Pal Lekaj, në mbledhjen e sotme të Komisionit për ekonomi. Lekaj i tha ministres Hajdari se shefi i kabinetit të saj, Kushtrim Dakaj në vitin 2020 ka mashtruar duke u paraqitur si inspektor i tregut.
Lekaj: Shefi i kabinetit tuaj në vitin 2020 ka mashtruar, është paraqitur si inspektor i tregut
“Sa e pash shefin e kabinetit, ai në vitin 2020 kish mashtrua dhe ish paraqitë si inspektor i tregut. Ju e keni bërë shef të kabinetit”, tha ai.
Por, këtë e mohoi ministrja Hajdari, e cila përmendi Lekajt psikologjinë e pasqyrës, duke i thënë se atë që mendon për veti ia aludon dikujt tjetër.
Hajdari: Atë që mendon për veti ia aludon dikujt tjetër
“Sa i përket shefit të stafit të kabinetit tim asnjëherë nuk ka mashtruar. Njerëzit ndoshta reflektojnë me psikologjinë e pasqyrës, pasi psikologjia e pasqyrës është ajo çka mendon për veti ia aludon dikujt”, tha ajo.
Mirëpo, deputeti Lekaj, prapë i reagoi ministres duke e quajtur të pasaktë dhe mashtruese.
Lekaj: Ministre je mashtruese
“Më vjen keq ministre që je e pasaktë dhe je mashtruese, që për hirë të mediat, këshilltari i ministres Hajdari prezantohet rrejshëm si inspektor, ndalohet rrejshëm nga policia. Duhet me të ardhur keq dhe turp, pasi t’i nuk e meriton jo ministre po as në nivelin më të ulët”, theksoi Lekaj
Pas këtij debati, por edhe në mungesë të materialit që ministrja nuk ia kishte dorëzuar komisionit sa i përket realizimit të projekteve në vitin 2023 dhe planifikimeve për vitin 2024, ajo lëshoi mbledhjen, derisa në ikje e sipër tha se konstatimet e deputetit Lekaj janë të pasakta, pasi mediat sot shpifin.
Hajdari: Mediat sot shpifin
“Mediat sot shpifin dhe shkruajnë”, tha ajo.
Në debat u përfshi edhe deputeti i partisë në pushtet, LVV-së, Armend Muja, i cili tha se deputetët opozitarë në këtë komision po janë të vrazhdë me ministren Hajdari.
Muja: Po jeni shumë të vrazhdë me ministren Hajdari
“E kom një përshtypje që kur po vjen sidomos Rozeta Hajdari ne në komision po jemi shumë të vrazhdë më të dhe shpesh po e ka të pamundur me u përgjigj”, tha ai.
Komisioni në mbledhjen e sotme miratoi Projektligjit për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut dhe Projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit.