Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe bashkë me ish-deputetin e Maqedonisë së Veriut, Ruzhdi Matoshi, derisa ishin në opozitë i kishin kërkuar dokumente ‘diskredituese’ lidhur me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Matoshi sot ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke thënë se nuk qëndron.
“Demant – Ndjej obligim të sqaroj opinionin publik në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë rreth emisionit debativ T 7 mes Menduh Thaçit dhe Sadri Ramabajës ku përmendet emri im në kontekstin e bashkëpunimit mes meje, Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës gjoja rreth dokumenteve diskredituese për Hashim Thaçin. E vërteta është se unë Ruzhdi Matoshi asnjëherë nuk jam takuar apo biseduar me të lartpërmendurit për kontekstin e bisedës që u bë në emisionin në fjalë. Opinioni mbarë shqiptar i di mendimet e mia politike, aktivitetet e mia kombëtare për të cilat asnjëherë nuk devijoj”, ka thënë Matoshi.
Në Pressing, Thaçi tha se para disa viteve Kurti dhe Konjufca bashkë me Matoshin i kishin kërkuar “çfarëdo dokumenti” rreth Hashim Thaçit.
“Albin Kurti me këtë Ruzhdi Matoshin, Glauk Konjufcën kanë ardhë… a e di ku jemi prishë? Një natë të bukur të Ramazanit m’ka thonë a ki najsen për Hashimin. Kjo [ka ndodhë] moti, para se me shku Hashimi. Iu thashë: Çka folni burra, a jeni n’veti ju?…Dokumente shpifëse, për kriminalitet…këta [Vetëvendosje] krejt qashtu janë. Shpifësa e punojnë me etiketa”.
Ai tha se kjo ngjarje kishte ndodhur rreth vitit 2015-2016.