Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, po merr pjesë në konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë, që po mbahet në San Diego të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pjesëmarrja e delegacionit nga Policia e Kosovës në këtë konferencë mundëson shkëmbimin e përvojave dhe eksperiencave policore e trajtimin e sfidave dhe fenomeneve me të cilat ballafaqohen institucionet e sigurisë.
“Drejtori i përgjithshëm Hoxha me bashkëpunëtorë ka pasur rastin të takojë personalitete të ndryshme duke përfshirë edhe drejtorin ekzekutiv të EUROPOL-it, znj. Catherine De Bolle, z. Gregory Ducot, drejtor i DOJ-ICITAP dhe z. Samuel Pineda, drejtor i Zyrës së Programeve, Departamenti i Shtetit- Byroja Kundër Terrorizmit si dhe me udhëheqës të policive të shumë vendeve botërore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, bëhet e ditur se në këto takime u fol edhe për luftimin e krimit të organizuar transnacional dhe llojeve të tjera të krimit, përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Bëhet e ditur se pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Policia e Kosovës u mundësua nga ambasada e ShBA-së në Kosovë.
Në këtë konferencë foli edhe presidenti i ShBA-së, Joe Biden.