Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mbahet takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, prezantohet dhe diskutohet plani vjetor 2024

 
   

Sot u mbajt takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, në hapjen e të cilit mori pjesë kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrat, Hysen Durmishi dhe Getoar Mjeku, si dhe akterë të tjerë përfaqësues nga institucione publike e private, vendore e ndërkombëtare.

Gjatë këtij takimi kryeministri Kurti theksoi përkushtimin për të ndërtuar një platformë të fortë për dialogun publiko-privat, që mundëson identifikimin e mundësive dhe adresimin efikas të sfidave, përmes së cilës edhe është arritur zhvillimi i një plani vjetor ambicioz për vitin 2024 mbështetur nga Sekretariati i pavarur i Këshillit, i financuar nga SECO-ja zvicerane dhe i menaxhuar nga BERZh-i në Kosovë.

“Ky plan përfshin një sërë aktivitetesh të synuara për të nxitur investimet dhe eksportet, si dhe për të intensifikuar dhe thelluar dialogun ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Në këtë plan vjetor janë tri ngjarje kryesore, në tetor dhe në nëntor 2024, në Kosovë, të cilat ofrojnë mundësi të vlefshme për promovim të investimeve të huaja direkte dhe eksportit, si dhe për të gjitha kombinimet e rrjetëzimit: ‘Qeveri-Qeveri’, ‘Biznes-Qeveri’ dhe ‘Biznes-Biznes’ (B2B)”, u shpreh ai duke rikujtuar datën 3-12 tetor 2024, për shërbimet e mundësuara nga TIK; 24-26 tetor 2024, për Javën e Industrisë së Ushqimit të Kosovës; dhe 20-26 nëntor 2024, për Konventën e Industrisë së Drurit.

Në këtë takim ku u ndanë vizionet dhe synimet për rrugëtimin e ardhshëm të Kosovës drejt rritjes ekonomike  dhe zhvillimit  të qëndrueshëm, kryeministri përmendi synimin për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, përkushtimin për një mjedis biznesi lehtësues e inkurajues dhe prioritizimin për reformimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, që ndikon në minimizimin e barrës administrative dhe sigurimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë.

Në anën tjetër, esenciale kryeministri e quajti promovimin e sektorëve, që janë të duhur për Kosovën si, bujqësia dhe sektorët e ushqimit, shërbimet BPO (Business Process Outsourcing) të mundësuara nga teknologjia e informacionit, sektorët e prodhimit të lehtë, prodhimi i energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme dhe gjithashtu fokus i dha dëshirës që të bëhemi destinacion i dëshiruar për prodhimin e automjeteve elektrike për shkak të fuqisë punëtore dinamike dhe me kosto konkurruese.

“Me një pozicionim strategjik në Evropën Juglindore dhe qasje në tregjet kyçe, së bashku me një fuqi punëtore të re, të shkathët dhe shumëgjuhëshe, dhe një ekonomi të hapur e të qëndrueshme, jemi të përgatitur të mirëpresim investitorët dhe partnerët që dëshirojnë të jenë pjesë e historisë sonë të suksesit”, përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti, duke falënderuar sektorin privat për kontributet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Për planin vjetor foli Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili ndër të tjera tha se qasja e Qeverisë ndaj bashkëpunimit me sektorin privat ka qenë dhe është e bazuar në tri shtylla kryesore, vlera, sisteme dhe rezultate. Në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, ai tha se është definuar qartë një kalendar për tërë vitin si dhe për vitet e ardhshme të dialogimit publiko-privat.