Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mban titullin e njeriut më të moshuar në botë, John Tinniswood tregon sekretin e jetëgjatësisë

111-vjeçari John Tinniswood nga Britania e Madhe aktualisht mban titullin e njeriut më të moshuar në botë.

Kjo pasi mbajtësi i mëparshëm i titullit, Juan Vicente Perez Mora nga Venezuela, vdiq ditë më parë në moshën 114 vjeçare. Tinniswood ka lindur më 26 gusht të vitit 1912 dhe njihet si tifoz i flaktë i Liverpool-it.

Ai u takua me gruan e tij Blodwen gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u martuan në vitin 1942. Së bashku, ata kanë një vajzë, Susan. Deri në pensionimin e tij në vitin 1972, Tinniswood ka punuar për Royal Mail, Shell dhe BP. Sa i përket jetëgjatësisë, ai thotë se asnjëherë nuk i ka kushtuar rëndësi të ushqyerit dhe stilit specifik të jetesës. Madje, ai thekson se ushqimet e tij të preferuara janë patatet e skuqura dhe peshku. Për një jetë më të gjatë, ai këshillon “të stërvitni mendjen”.

Ndërkaq, Eurostat, institucioni i statistikave të Bashkimit Europian, ka publikuar së fundmi të dhënat për jetëgjatësinë. Në Bashkimin Europian, mesatarja e jetëgjatësisë arriti në 80.6 vjet në 2022 me 0.5 vjet më shumë nga viti 2021. Gjatë dy dekadave, që nga viti 2002, vlera më e lartë u regjistrua në vitin 2019 kur jetëgjatësia në lindje arriti në 81.3 vjet. Në vitin 2022, jetëgjatësia në lindje në BE u rrit, por nuk arriti vlerën e vitit 2019.

Gratë jetojnë më gjatë se burrat, mosha mesatare e shqiptarëve arrin në 79.1 vite. Nëse i krahasojmë sipas shteteve më gjatë njerëzit jetojnë në Lihtenshtajn, pasuar më tej nga Zvicra dhe Spanja. Ndërsa nëse ndalemi sipas rajoneve, jetëgjatësinë më të lartë në lindje e regjistron rajoni spanjoll i Comunidad de Madrid (85.2 vjet), i ndjekur nga Provincia Autonoma di Trento në Itali (84.4 vjet), Ile de France në Francë (84.1 vjet), Stokholmi në Suedi ( 84.0 vjeç) dhe Comunidad Foral de Navarra në Spanjë (83.9 vjet).