Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Mbështetja për agresionin rus, Kamberi: BE të ndalojë hyrjen e Serbisë në BE

 
   

Analistja Kaltrina Kamberi ka komentuar rreshtimin e Serbisë përkrah Rusisë në agresionin kundër Ukrainës dhe refuzimin e vendosjes së sanksioneve duke kërkuar nga Brukseli izolimin në aspektin rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe stopimin e rrugës së anëtarësimit të Serbisë në familjen e madhe evropiane.

Në një postim në platformën X, Kamberi ka paralajmëruar se rreshtimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me Vladimir Putin dhe Rusinë bie ndesh me vlerat dhe prioritetet e politikës së jashtme nga vendet kandidate për BE.

“BE ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e mbështetjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Veprimet e Serbisë, duke përfshirë forcimin e lidhjeve me institucionet ortodokse ruse që mbështesin publikisht përpjekjet e Putin për luftë, minojnë besueshmërinë e saj si një partner evropian”, ka shkruar ajo.

Serbia është vendi i vetëm në rajon dhe e dyta në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, një aleat tjetër kyç i Putin, duke refuzuar vendosjen e sanksioneve të BE-së ndaj regjimit të Moskës pas agresionit ushtarak ndaj Ukrainës në shkurt 2022.