Myslimanët të cilët vendosën të kryejnë pelegrinazhin e haxhit në Mekë, këtë vit u përballën me temperatura ekstreme, të cilat shkuan deri në 51 gradë Celzius.
Si pasojë e kësaj më shumë se 1000 haxhilerë vdiqën gjatë pelegrinazhit të sivjetëm njoftuan zyrtarët të dielën, ndërsa Arabia Saudite nuk ka komentuar ende mbi këto vdekje.
Zyrtarët egjiptianë njoftuan se më shumë se gjysma e të vdekurve ishin nga Egjipti dhe se Qeveria e Kajros tashmë ua ka hequr licencën e punës 16 agjencive të udhëtimit të cilat dyshohet se kishin lehtësuar udhëtimin e pelegrinëve të paautorizuar për në Arabinë Saudite.
Ndërkohë sipas një raporti të publikuar nga Associated Press, në mesin e viktimave të tjera janë 165 pelegrinë nga Indonezia, 98 nga India dhe dhjetëra të tjerë nga Jordania, Tunizia, Maroku, Algjeria dhe Malajzia.
Autoritetet saudite njoftuan se kishin dëbuar dhjetëra mijëra pelegrinë të paautorizuar, por që shumë prej tyre, kryesisht egjiptianë, kishin arritur të mbërrinin në vendin e shenjtë në këmbë dhe përmes rrugëve të tjera.
Ndryshe nga pelegrinët e autorizuar, ata nuk kishin hotele për t’i shpëtuar vapës përvëluese.
Çdo vit, qindra mijëra pelegrinë nga vende me të hyra të ulëta shkojnë për haxhillëk, “shumica prej të cilëve kanë pasur pak, ose aspak kujdes shëndetësor para haxhillëkut”, sipas një artikulli të publikuar në prill në Ditarin saudit për Shëndetin Publik dhe Infeksionin.
Më shumë se 1.83 milion myslimanë shkuan për haxhillëk më 2024, përfshirë më shumë se 1.6 milion pelegrinë nga 22 vende, dhe rreth 222.000 qytetarë dhe banorë sauditë.
Vdekjet nuk janë të rralla gjatë kryerjes së haxhillëkut, i cili është një ndër pesë obligimet e fesë islame.
Një rrëmujë e vitit 2015 në Mina gjatë haxhit vrau mbi 2,400 pelegrinë.
Tags: haxhivdekje e pelegrinazhve