Rusia kreu sulme të mëdha ajrore ndaj infrastrukturës së Ukrainës të enjten, duke i lënë më shumë se 1 milion njerëz pa rrymë në një mot acar.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e akuzoi Rusinë për “përshkallëzim të neveritshëm”, pasi Ministria e Brendshme e Ukrainës regjistroi dëme në infrastrukturë në nëntë rajone.
Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se sulmi më i fundit ishte “përgjigjja” e Moskës ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus me raketa amerikane me rreze të mesëm veprimi, ATACMS.
Duke folur gjatë një vizite në Kazakistan, Putin paralajmëroi se objektivat e ardhshëm të Rusisë mund të përfshijnë “qendrat e vendimmarrjes” në Kiev.
Ai shtoi se Rusia i lëshoi më shumë se 90 raketa dhe 100 dronë në një “sulm të gjithëpërfshirës” më 28 nëntor, duke thënë se 17 objektiva u goditën. Këto hollësi i jep rrallëherë presidenti rus.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se i kanë rrëzuar 79 raketa dhe 35 dronë, ndërsa 62 dronë të tjerë u “zhdukën”, raporton Radio Evropa e Lirë
Zyrtarët raportuan se të gjitha raketat dhe dronët e nisur drejt kryeqytetit Kiev, janë asgjësuar.
Sulmi e detyroi operatorin kombëtar të rrjetit elektrik, Ukrenerho, të njoftoi menjëherë për ndërprerje emergjente të furnizimit me rrymë, tha ministri i Energjisë, Herman Halushchenko, në orët e para të mëngjesit të 28 nëntorit.
“Edhe një herë, sektori energjetik është nën një sulm masiv armiqësor. Sulmet ndaj objekteve të energjisë po ndodhin në të gjithë Ukrainën”, shkroi Halushchenko në rrjetet sociale.
Furnizuesi me energji elektrike, DTEK, njoftoi se do të ketë reduktime të rrymës në Kiev, Odesa, Dnipropetrovsk dhe Donjeck.
Raportohet se Kievi gjithashtu i shkëputi nga rrjeti elektrik disa njësi të centraleve bërthamore gjatë sulmit. Ukraina merr më shumë se gjysmën e energjisë elektrike nga centralet bërthamore.
Sulmi ndodhi në një ditë kur temperatura në të gjithë Ukrainën kanë rënë nën zero gradë.