Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave në vend kanë dhënë propozimet e tyre sa i përket plotësimit dhe ndryshimit për Projektligjin për Mbrojtjen e konsumatorit. Në dëgjimin publik për këtë projektligj i mbajtur nga Komisioni për Ekonomi, është theksuar nevoja e zbatimit të këtij projektligji me ndryshimet e propozuara nga të njëjtit.
Kryesuesi i Grupit për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, deputeti Driton Hyseni ka theksuar se ky ligj synon të mbrojë konsumatorët nga çdo manipulim që mund të jetë prezent në tregun e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve në vend.
Hyseni: Projektligji synon të mbrojë konsumatorët nga çdo manipulim
“Ligji trajton sidomos aspektet e të drejtave të konsumatorit në thelb, por sigurisht edhe pjesën e praktikave të padrejta tregtare. Synon që në mënyrë më të mirë të mbrojë konsumatorët nga çdo manipulim që mund të jetë prezent në tregun e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve në vendin tonë. Në këtë drejtim, ligji është jashtëzakonisht përmbajtjesor, ndoshta është tentuar që në mënyrë maksimale me gjitha pjesët e neneve që janë të përfshira në ligj, të përmbush çdo nevojë të mundshme që ka konsumatori drejt mbrojtës së drejtave të tij”, tha Hyseni.
Ndërsa, në emër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Nijazi Shala ka thënë se ky projektligj mundëson rregullimin e tregjeve në vend, derisa shton se ka prioritet të mbrojë interesat ekonomike të konsumatorit.
Shala: Ky projektligj bën rregullimin e tregjeve
“Rëndësia e projektligjit është gjithashtu e natyrës ekonomike, sepse mundëson gjithashtu rregullimin e tregjeve synim drejt një kompeticioni perfekt, që çon drejt një ekonomie diferencimi, apo konkurrence të ndërtuar mbi kualitetin dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, të një ekonomie të shëndosh…(pjesët që janë risi në këtë projektligj) kisha veçuar dy prej tyre, është harmonizimi me rregulloren e Ministrisë së Ambientit për kthimin e ambalazhit dhe trajtimin e qeseve plastike, si dhe ndalimin e konsumimit të pijeve energjike nën moshën 18 vjeçare”, tha ai.
Në këtë dëgjim publik, Shala bëri të ditur se janë rreth 3 mijë ankesa nga konsumatorët, që sipas tij, 60 për qind prej tyre janë trajtuar nga MINT-i.
Shala: Gjatë vitit 2023 kemi pasur rreth 3 mijë ankesa
“Ankesa përgjatë vitit 2023 janë rreth 3 mijë dhe rreth 60 për qind prej tyre, janë trajtuar”, tha ai.
Ndërsa, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Rexhepi-Bunajku u shpreh skeptike për zbatimin e ligjeve në vend. Ajo theksoi ka shumë ligje që nuk zbatohen në vend.
Rexhepi-Bunajku: Sa i përket implementimit dhe ankesave është pjesë e inspektoratit
“Neve po na intereson se cili nen duhet plotësuar apo ndryshuar që t’i dilet në ndihmë konsumatorëve apo në të mirën e tyre. Sa i përket implementimit dhe ankesave është pjesë e inspektoratit, ka shumë ligje në vend që janë mirë të shkruara, por pak të zbatueshme, por për zbatueshmërinë e ligjeve nuk është tema”, tha Rexhepi-Bunjaku.
Ndërsa, nga Shoqata e Bankave, Partin Pruthi ka thënë se nuk kanë probleme me ligjin, pasi sipas tij, nuk ka shumë dallim sa i përket kredive konsumuese në këtë ligj prej atij që është në fuqi.