Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mbretëria e Bashkuar shprehet e shqetësuar nga aksioni i djeshëm i Policisë në Veri

 
   

Të hënën, autoritetet e Kosovës zhvilluan operacion në veri, ku mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, që operonin në komunat veriore.  

Në një reagim të publikuar sot nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë kanë thënë se janë të shqetësuar qe veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës.

Sipas tyre kjo rrezikon eskalimin e tensioneve dhe se do t’a  vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë.

“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë.Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, thuhet në reagim.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se kjo ngjarje ishte “e padobishme”, ndërsa paralajmëroi se do të lëshojnë një komunikatë për media për ta shpalosur më tej qëndrimin e tyre mbi këtë çështje.

“Ishte një ngjarje e padobishme që ndodhi dhe reagimin tonë do ta bëjmë të ditur përmes një komunikate për media që do ta lëshojmë këtë pasdite”, tha Stano.

Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu e ka shprehur zhgënjimin për aksionin e Policisë së Kosovës në zyrat financiare në veri të Kosovës, aksion ky me udhëzimin e ministrisë së Punëve të Brendshme.