Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së do të dorëzojë mocione për rrëzimin e akuzave

 
   

Avokatët mbrojtjes të ish-eprorëve të UÇK-së e kanë informuar trupin gjykues se synojnë të dorëzojnë mocione për rrëzimin e akuzave, njoftoi Gjykata Speciale të mërkurën.

“Përveç kësaj, ekipet e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se do ta informojnë Trupin Gjykues nëse synojnë të paraqesin çështjet e tyre pas vendimit lidhur me mocionet sipas Rregullës 130”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Njoftimi i mbrojtjes vjen menjëherë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar mbylli zyrtarisht çështjen e saj ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në 2-vjetorin e fillimit të procesit gjyqësor, ekipet mbrojtëse thanë për media se do kërkojnë rrëzimin e pjesëve të aktakuzës derisa u shprehën optimistë se në fund do të ketë rezultat pozitiv.

Rastin e prokurorisë e konsideruan të dobët, ndërkaq, theksuan tejzgjatjen e këtij procesi.

ZPS-ja i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ai që njihet si gjyqi i madh nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Në njoftimin zyrtar të mërkurën më 16 prill, ZPS-ja tha se thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë. Shumë prej tyre dëshmuan nën masa mbrojtëse dhe pa iu bërë publik identiteti.

Prokurorisë në Hagë iu deshën dy vjet nga fillimi i procesit gjyqësor që të mbyll çështjen e saj gjyqësore. Pas kësaj do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, e caktuar për datën 23 prill.

Deri më tash dihet se mbrojtësi i viktimave do të thërras disa dëshmitarë.

Në fillim të procesit gjyqësor, prokuroria tha se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Ndërkaq, avokatët mbrojtës hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.