Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mbyllet kjo shkollë në Kosovë, mbetën më shumë mësimdhënës sesa nxënës

Numri i nxënësve është reflektim i zvogëlimit të numrit të banorëve, të cilët janë shpërngulur nga Kotlina, kryesisht drejt zonave urbane.

Në mesin e pak shtëpive shtëpive që ende kanë mbetur të banuara në Kotlinë është edhe ajo e familjes së Rufije Lokut.

Ajo tregon se një ndër problemet për banorët ka qenë ndërprerja e transportit të udhëtarëve nga fshati drejt qendrave urbane dhe anasjelltas.

“Momentalisht në fshat janë rreth 5-6 shtëpi. Ky trend i ikjes ka fillu viteve të fundit e sidomos prej ndaljes së transportit, ku një numër i konsiderueshëm i banorëve kishin edhe fëmijë që ishin në shkolla të mesme edhe kishin problem me udhëtimin”- thotë Loku.

Kjo banore shpjegon se kjo ka ndodhur për shkak se secili banor mundohej të gjente një zgjidhje për fëmijën e tij sepse ndryshe ata detyroheshin të ecnin këmbë.

“Me zbrazjen e fshatit nga banorët nisi me u zvogëlu edhe numri i nxënësve në shkollën fillore këtu ku tash edhe është mbyllë për shkak se shkolla mbeti as me 10 nxënës, ku realisht të themi që më i lartë ishte numri i punëtorëve të arsimit sesa i nxënësve”-thotë Loku.

Ajo shprehet e zhgënjyer me gjendjen në të cilën ka mbetur Kotlina.

E pytetur nëse ende sheh perspektivë në këtë fshat, ajo përgjigjet me pesimizëm.

“Realisht nuk mundemi me thanë që ka perspektivë këtu për shkak se këtu kanë mbetë edhe 5-6 shtëpi, edhe ky numër pritet mu zvogëlu për një periudhë shumë të shkurtë. Kotlina atëherë kur duhej të largohej në vitin 1999 ka qenë prej fshtarave të vetme që ka mbetur këtu edhe nuk e ka lëshu vendin. Tash po ndodh e kundërta, në kohë paqeje vendi ka fillu me u zbrazë ose të themi se është zbrazë veçse”-shprehet ajo.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Kaçanikut, Zahir Doda, thotë për KALLXO.com se vendimi për mbylljen e shkollës ka ardhur pas disa takimeve dhe koordinimit me banorët e fshatit.

“Në momentin kur e kemi marrë hapin për m’e mbyllë shkollën kanë qenë shtatë nxënës kurse sot janë vetëm tre nxënës që po i bartim në një shkollë tjetër”- shpjegon ai.

Sipas kreut të DKA-së, nxënësit e Kotlinës janë bartur në shkollën “Idriz Seferi” të fshatit Kovaqec të Kaçanikut.

Ai thotë se bartjen e nxënësve e ka siguruar Komuna.

“Shkolla “Idriz Seferi” në fshatin Kovaqec punon me një ndërrim, prandaj është vendosur me marrëveshje me banorët e fshatit Kotlinë që fëmijët e tyre janë ndierë edhe më të sigurt edhe fëmijët edhe të klasës së dytë edhe të klasës së tetë meqenëse janë në një ndërrim vijnë në të njëjtën kohë dhe kthehen në fshat”-thotë Doda.

“Për këtë arsye është vendosur që ata të shkojnë në Kovaqec sepse shkollat e tjera që janë më afër punojnë me ndërrime të ndryshme dhe është dashur që një fëmijë me e bartë paradite, dy të tjerë pasdite. Kjo ka qenë arsyeja” – shton ai.

Ndërkaq, objekti i shkollës tashmë të mbyllur në Kotlinë i është dhënë administratorit të fshatit.

“Objekti shkollor i është dhënë administratorit të fshatit. Komisioni ka vendosur që inventari të mbetet në shkollë sepse aty është një fshat ku ka ndodhur një masakër e papërshkruar dhe ka edhe varre në oborrin e asaj shkolle dhe mbildhen shpesheherë, ka disa tubime. Ju nevojitet ai inventar, dhe me kërkesë të komunitetit aty, inventarin e kemi lënë në mbikëqyrje të komunitetit”- tregon drejtori.