Së fundi, Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë kanë realizuar një aksion në Pejë, Istog dhe Klinë kundër veprimtarive të strukturave ilegale.
Ishte ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili konfirmoi mbylljen e zyrave të komunave paralele serbe.
“Pas një koordinimi të ngushtë mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë, Policia sot ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Republikës së Kosovës. Me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës. Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj”, ka thënë Sveçla.
E në lidhje me këtë aksion ka pasur reagime edhe nga niveli ndërkombëtar.
Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur shqetësimin e madh për operacionet e Policisë Speciale të kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia.
“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, meqë kjo do e kufizoj qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga zëdhënësi i BE-së, e cila u publikua të dielën në mëngjes.
Në komunikatën e Bashkimit Evropian precizohet se statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun mes Kosovës e Serbisë e në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Shala: Faktori partner i Kosovës në nivelin diplomatik kanë vetëm shqetësimet e tyre se mund të kemi një situatë të një impakti gjeopolitik /gjeostrategjik në sigurinë e Kosovës
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.
Ai thotë që mijëra qytetarë serbë në Kosovë financohen nga Serbia ani pse Kosova ka shpallur pavarësinë që nga viti 2008.
Shala përmend marrëveshjen e prillit të 2013, që është bërë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Drizan Shala.
“Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta më 1999. Serbia ndan dhjetëra-miliona euro për to çdo vit. Komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme, si dhe universitete publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.
Këta mekanizma, edhe pse jo legalë sipas ligjeve të Kosovës, nuk janë ndalur së vepruari, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008. Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar”, u shpreh ai.
Më tej, eksperti i sigurisë flet për një strategji me dy dimensione nga pala serbe.
“Se si do të vazhdohet në formën pas aksioneve të para sipas gjitha gjasave tani pala serbe është duke hartuar një strategji në dy dimensione të cilat kryesisht do të reflektojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe asaj të sigurisë.
a. Në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare veprimet që janë legjitime dhe legale nga Prishtina zyrtare , Beogradi do të paraqes narrativen e saj konstruktive në procesin e marrëdhënieve me BE dhe Kosovën, ku palë destruktive do të paraqitet Prishtina.
b. Në aspektin e sigurisë padyshim do të marr formën e saj në paraqitjen e elementeve që do të tentohen të duken si rebelim qytetar me elemente të strukturave serbe brenda tyre dhe veprimi i institucioneve të rendit do të tentohet që forma faktike që është rendi dhe ligji të duket si represion politik”, shpjegon ai.
Ndër të tjera, ai shton që mbyllja e këtyre strukturave shtetërore të Serbisë me veprimtari kriminale nuk do të duhej të diskutohen fare në nivelin e procesit të dialogut.
“Pra në këtë na duhet të koordinohem më partnerët e sigurisë gjithashtu në nivelin politik ndërkombëtar përmes MPJ-së. Unë mendoj që mbyllja e këtyre strukturave shtetërore të Serbisë me veprimtari kriminale nuk do të duhej të diskutohej fare në nivelin e procesit të dialogut sepse përmes kësaj rruge do të ketë pengesa në vazhdimësi për gjithë situatën e forcimit të shtetësisë se brendshme të Kosovës. Ndërsa, faktori partner i Kosovës në nivelin diplomatik kanë vetëm shqetësimet e tyre se mund të kemi një situatë të një impakti gjeopolitik /gjeostrategjik në sigurinë e Kosovës me shpërfaqje të gjere rajonale”, tha Shala për “Bota sot”.
Burjani: Duhet lënë organet e Kosovës të kryejnë punën e vet
Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që BE dhe SHBA kanë brengën e shkaktimit të tensioneve ose frika e eskalimit të situatës në dhunë me përmasa.
Blerim Burjani
“BE dhe SHBA kanë brengën shkaktimit të tensioneve ose frika eskalimit të situatës në dhunë me përmasa, mendoj se rasti i Banjskës e ka heshtë ndërhyrjen e Policisë së Kosovës. Ideja e Kurtit është kthimi i rendit dhe ligji i shtetit të Kosovës, kjo i konvenon edhe SHBA edhe BE, disi duhet të fuqizohet përballë krimit edhe bandave serbe, në Kosovë kanë operuar edhe Serbia edhe zyrtarë rusë”, thekson ai.
Në fund, ai shton që duhet lënë organet e Kosovës të kryejnë punën e vet.
“Tash dal nga dal po hiqen këto struktura serbe dhe ruse, për operim rus janë të vetëdijshëm SHBA dhe BE. Mendoj se duhet lënë organet e Kosovës të kryejnë punën e vet , rasti është ideal të kthehet rendi dhe serbët të kthehen në sistem ligjor të Kosovës”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.