Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano ka thënë sot se dialogu është në moment krize aktualisht. Këtë përgjigje Stano e dha në një intervistë për mediumin serb N1.
Sipas Stanos as mbyllja e pikave ilegale të Postës së Serbisë në veri nuk ka qenë veprim i mirë.
“Ne kemi shpresuar në fillim të këtij mandati, kur kemi iniciuar vazhdimin e dialogut, se do të kemi progres, se do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një progres në normalizim. Fatkeqësisht, ne shohim gjithnjë e më shumë lëvizje të njëanshme dhe veprime të pakoordinuara. Fatkeqësisht, shumica e tyre vijnë nga administrata në Prishtinë”, tha Stano.
Tutje ai deklaroi se është mbyllja e pikave të Postës së Serbisë, në veri është shkelje e marrëveshjes së dialogut.
“Bastisjet, gjegjësisht mbyllja e tetë degëve të postës serbe në veri të Kosovës është shumë për të ardhur keq dhe është shkelje e marrëveshjes së dialogut: e njëanshme, e pakoordinuar, me ndikim negativ në popullatën vendase. Prandaj kërkojmë nga autoritetet që të rishqyrtojnë vendimin e tyre dhe t’i kthehen dialogut me ide konstruktive se si të zgjidhet problemi që kanë. Kurse ata flasin për arsyet e tyre që me problemin të merren me veprime të tilla. Ne duam të shohim angazhim dhe dialog në vend të veprimeve të njëanshme”, ka thënë Peter Stano.