Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Më la shije të hidhur”, Bytyçi reagon ashpër ndaj deklaratës së fundit të Escobarit – ka një rekomandim për Kurtin

 
   

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka deklaruar se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

Këtë deklaratë të Escobarit, e ka komentuar profesori Enver Bytyçi.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook e cilësoi këtë si një deklaratë interesate, e cila ia ka lënë një shije të hidhur.

Sipas tij, emisari amerikan po bën presion vetëm ndaj Kosovës, pasi ky reagim erdhi pas deklarimit të Kurtit, ku tha se nuk do zbatojë Asociacionin, pa nënshkrim, e nuk reagoi kur Vuçiq deklaroi hapur se nuk do ta njohë Kosovën.

“Në këto kushte unë do të rekomandoja që qeveria e Kosovës ta kushtëzojë asosacionin me njohjen de jure dhe jo de facto nga ana e Serbisë. Madje mbasi njohja të jetë depozituar në OKB së bashku me angazhimin e Serbisë për njohjen e integritetit territorial të Kosovës. Pra të kufijve të saj!” – shkroi ndër të tjera Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Zoti Gabriel Escobar bëri një deklaratë interesante. Duke folur për marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023 ai tha se kjo marrëveshje është pranuar dhe duhet zbatuar pa kushte. Në këtë thënie nuk ka asgjë të keqe në parim. Por më la shije të hidhur fakti se deklarata e tij erdhi menjëherë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nuk do ta zbatojë asosacionin, edhe pse ai e ka pranuar, pa nënshkrimin e marrëveshjes nga të dy palët.

Escobar nuk reagoi kur Vuçiç tha se nuk do të pajtohet kurrë me njohjen faktike dhe ulësen në OKB për Kosovën. Reagoi kur Kurti e kushtëzoi zbatimin e asosacionit pikërisht me këto dy aspekte, të cilat presidenti i Serbisë i refuzon. Kjo do të thotë se diplomati amerikan i ngarkuar për Ballkanin dhe dialogun Kosovë-Serbi është i prirur të bëjë presion ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj Serbisë.

Në këto kushte unë do të rekomandoja që qeveria e Kosovës ta kushtëzojë asosacionin me njohjen de jure dhe jo de facto nga ana e Serbisë. Madje mbasi njohja të jetë depozituar në OKB së bashku me angazhimin e Serbisë për njohjen e integritetit territorial të Kosovës. Pra të kufijve të saj!

Vetëm në këtë rast do jepej garancia për shtetësinë dhe sovranietin e institucioneve të Kosovës. Më e pakta që duhet kërkuar do të ishte ajo që të pesë a gjashtë përfaqësuesit diplomatikë euro-amerikanë të nënshkruanin për garancinë e integritetit territorial të Kosovës. Nëse nuk duan t’i bëjnë presion Vuçiçit, le ta marrin ata përsipër një garanci të tillë me shkrim e zyrtarisht!