Vetëm gjatë vitit 2023, Inspektorati i Punës ka trajtuar 614 ankesa të parashtruara nga ana e punëtorëve ndaj punëdhënësve. Ndërkohë, vetë Inspektorati ka kryer mbi 8 mijë inspektime. Edhe pse ka vetëm një muaj me liberalizimin e vizave, vërehet se pagat dhe kushtet në sektorin privat kanë filluar të përmirësohen ndejshëm.
Deri më tash, liberalizimi i vizave nuk ka ndikuar në largimin e punëtorëve të sektorit privat. Edhe pse vetëm një muaj nga heqja e vizave për kosovarët, kërkohet që sektori privat të bëhet më atraktiv.
Nga sindikata e punëtorëve të sektorit privat kërkohet që paga të jetë 500 euro. Ata deklarojnë se situate ka filluar të përmirësohet shkaku i frikës nga largimi I punëtorëve.
“Ka tendencë të ndryshimit pozitiv. Kemi rritje të pagave. Ta bëjmë një krahasim, përderisa në fillim të vitit të kaluar një punëtor krahu ka punuar për 10-15 euro për një ditë ose deri në 10 orë punë, tani kjo ditë e këtij punëtori krahu është 25 euro dhe krahas asaj është në shumicën e rasteve është ushqimi dhe transporti. Që të jemi real, po ka një ndryshim, ndryshime nuk ka te ato kompani që kryejnë shërbime te institucionet shtetërore, në vend që ata të jenë më dorëlëshuar dhe të jenë prioritar se si të ndalen këta punëtor, këta po I denoncojnë punëtorët. Edhe sot punëtorët në Qendrën e Mjekësisë Familjare që paguhen nga Komuna e Prishtinës, punëtorët paguhen me 230 euro me çka, në një far forme, po i jep një infuzion që këta punëtor duhet të ikin, sepse, normal, që nuk punohet për 230 euro.Përndryshe të pjesa tjetër, po ka një ndryshim pozitiv”, tha Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.
Ndërkaq Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, tha për RTK-në se punësimi mbetet prioritet i ekzekutivit të vendit. Ai më tej shtoi se nga masat e marra, ndër përfituesit më të mëdhenj kanë qenë të rinjtë.
Kryeziu u shpreh se në korrik të vitit 2023, punësimi i të rinjve nën moshën 25 vjeçare ka shënuar rritje dyfish, në krahasim me vitin 2021. Ai sqaroi se është viti i dytë i zbatimit të mësimit dual, e ku këtë vit janë 12 profile profesionale, të cilat po gjejnë zbatim në 21 shkolla në 14 komuna.
Sektori i ndërtimtarisë në Kosovë mbetet ndër sektorët që ka nevojë për fuqi punëtore.
Njëra nga kompanitë private të ndërtimtarisë i ka thënë RTK-së se ofrojnë paga të mira për punëtorët e tyre, ndërsa aktualisht kanë 200 të punësuar.
“Pagat, mendoj që janë relativisht normale dhe të pranueshme për kushtet tona të jetesës. Pagat, kryesisht në ndërtimtari, sillen diku nga 600 deri në 1000 euro. Mund të themi që mesatarja është 800 euro dhe është paga neto. Ndërsa sa i përket sigurisë, ne bëjmë organizojmë trajnime të vazhdueshme për edukimin e punëtorëve për siguri dhe mbrojtje në punë”, ka thënë Ragip Behrami, tha drejtor i një kompanie ndërtimore.
Në Inspektoratin e Punës deklarojnë se gjatë vitit 2023 janë realizuar gjithsej 8.114 inspektime, nga të cilat 7470 në sektorin privat. Vetëm gjatë vitit 2023, Inspektorati i Punës ka trajtuar 614 ankesa të parashtruara nga ana e punëtorëve.
Ndërprerja e kontratave të punës, mosdhënia e pagave mujore, moskompensimi i pushimeve mjekësore, mospagesa e orëve jashtë orarit të punës, mohimi i pushimeve vjetore apo kushteve të punës, janë disa nga ankesat e punëtorëve ndaj punëdhënësve.