Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Më mirë të më kishin pushkatuar”, rrëfimi i gruas e cila përjetoi dhunë seksuale nga paramilitarët serbë në Kosovë

 
   

E mbijetuara e dhunës seksuale Shyhrete Tahiri Sulejmani, ka rrëfyer historinë e saj në dokumentarin “Jehona e dhimbjes”.

Në një tregim të fortë emocional, ajo ka denoncuar sesi paramilitarët serbë kanë abuzuar me të gjatë luftës së Kosovës.

“Ajo ishte dita më e zezë e jetës sime kur ushtarët serbë hynë në shtëpi dhe unë kisha dy vajza të vogla, një katër vjeç dhe tjetra dy vjeç. Ku ata, qeshnin me të madhe sikur të ishte ndonjë film dhe jo ndonjë ngjarje që ti po shkatërron dikë. Si të mos ishin njerëz. Mendimi im ishte që 100% ata nuk ishin njerëz. Ditë e zezë për mua dhe për fëmijët pasi e gjithë jeta ime ndryshoi. Unë nuk mundja të flisja, ku unë nuk mund të mendoja, pasi truri është i bllokuar, mendonte veç si të shpëtonte fëmijët. Por si mundet t’i shpëtoja kur kisha gjithë ata ushtarë brenda?

Më kujtohet kur i mora vajzat në dorë nuk mundja t’i mbaja pasi më dukej vetja që nuk isha unë, mendoja që isha çmendur, mendoja që të treja ne kurrë s’do të ishim më mirë. Kur mendoja se kurrë më s’do të buzëqeshja dhe kurrë jeta ime s’do të kishte më kthim pas. Deri sa të shkoj në varr nuk e harroj, edhe sërish, edhe aty trupi im do jetë në var.

Me kujtohet kur kam menduar dhe nuk e kam ditur nëse është mirë apo keq. Lusja zotin të mi mbyste vajzat e mia, pastaj të më mbysnin mua për t’u siguruar që nuk do t’i le pas. Kur e di që fëmija të ka parë ashtu, kur e di se për shkak të fëmijëve si nënë s’ke mundur të lëshosh zë. Kur e di që plumbi është më i mirë, shumë më i mirë se të të shohë fëmija ashtu”, tha ajo.

Shumë mirë e ka ditur Serbia që ne jetojmë si nëna shqiptare, mburemi që jemi nëna shqiptare, kemi tradita të forta si nëna shqiptare,ku morali është më i fortë te nënat shqiptare. Ata e kanë ditur që nëse e kryejmë një veprim kështu, do të shkojë me gjenerata, se ajo nënë ka për ta mbartur te fëmijët e vet. Ky është shkatërrim total, që kurrë nuk ja fal, kurrë!”, tha ajo duke shtuar më tej se:

“Gjithmonë e kam pyetur veten: A jam nënë e mirë? Kur shumë herët kur isha e re kisha një karakter të fortë si grua. Ndërkohë, kur më kujtohej ngjarja thosha se s’jam duke i rritur mirë fëmijët. Nuk e dija nëse duhet të thoja po ose jo. Edhe pse jam trajtuar shumë herë te psikologia, sërish nuk e pranoja. Më kanë vra shumë, më kanë lënë me dëme të mëdhaja shpirtërore, ma kanë vrarë shpirtin”, tha Sulejmani.

Dokumentari “Jehonat e dhimbjes”, erdhi nga gazetari Andrea Danglli në Euroneës Albania, me 4 nga 20 mijë historitë e përdhunimeve gjatë luftës së Kosovës. Përmes rrëfimeve të tyre, katër të mbijetuarit e dhunës seksuale përsëritën apelin për drejtësi.