Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Më pak shanse për Shqipërinë, Nagelsman fton Brajan Grudën të stërvitet me Gjermaninë para Europianit

Shanset e Shqipërisë për të bindur Barjan Grudën të veshë në të ardhmen fanellën kuqezi kanë pësuar një goditje nga vendimi i fundit i Julian Nagelsman.

Trajneri i përfaqësueses gjermane, ka vendosur të grumbullojë talentin shqiptar për stërvitje me ekipin i cili do të marrë pjesë në Euro 2024.

Gruda, i cili përfaqëson Gjermaninë me U21, shihet si një lojtar me të ardhme dhe nuk është aspak çudi që lojtarin e Mainc tani e kërkojnë klube më të mëdha si Bajer Leverkusen, Borusia Dortmund, Lajpcig apo Liverpul. Djaloshi monitorohet edhe nga FSHF, që është përpjekur ta bindë të veshë fanellën kuqezi. Por ky vendim mund të bindë Grudën që të presë shansin e tij me Gjermaninë.

Ai dhe Roko Raitz do të stërviten me pjesën tjetër të skuadrës së grumbulluar para Europianit deri të premten e ardhshme. “Disa nga lojtarët tanë të përfaqësues do të jenë në veprim në finalen e Kupës dhe të Ligës ë Kampioneve, ndaj do i bashkohen më vonë ekipit.

Në mënyrë që skuadra të stërvitet në mënyrë optimale në pjesën e parë të përgatitjeve, ne do të dëshironim t’u jepnim dy lojtarëve të rinj premtues, mundësinë që të tregojnë veten me ekipin A”, ishte komenti i Nagelsman rreth kësaj ftese që padyshim afron edhe më shumë Grudën me përfaqësuesen gjermane.