Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogian i ka reaguar ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku i cili ka thënë se më përpara do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, sesa do ta lëshonte Kosovën.
Zogiani përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Klinaku dhe organizata e tij ka përfituar nga Qeveria e Ramush Haradinaj 20 milionë euro.
Ai tha se nuk do të ketë më përfitime financiare pa ndonjë kriter.
Tutje Zogiani u shpreh se Klinakut e të tjerëve i janë terruar sytë.
“20 milionë euro të rezervave financiare të shtetit qen shpërndarë pa kurrfarë kriteri nga Qeveria Haradinaj! Ndër të tjera aty pat marrur edhe organizata e Klinakut! Epo s’ka ma kështu, prandaj i janë terru sytë këtij dhe plotë të tjerëve si ky”, ka shkruar Zogiani.
Ndryshe, ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se më përpara do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, sesa do ta lëshonte Kosovën.
Klinaku, prmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Kosovën nuk duhet, e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”.
Kreu i OVL të UÇK-së tregoi një bisedë që e ka pasur me votuesin e Kurtit, i cili sipas tij ka thënë se “s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”, ndërsa ai iu ka përgjigjur duke thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij saqë tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”, shkruan ai.