Mediat ruse “Sputnik” dhe “Russia Today”, kanë një ndikim të gjerë në Ballkanin Perëndimorë duke përhapur narrativë negative për NATO-n dhe BE-në, duke luajtur një rol kyç në përhapjen e dezinformatave për të minimizuar integrimin e rajonit në NATO dhe BE.
Kjo ishte një pjesë e hulumtimit të Hibrid.info, të cilët sot prezantuan raportin “Krahasimi Ukrainë-Kosovë në narrativet dezinformuese të Rusisë”.
Qëllimi i këtij raporti është të identifikojë dhe t’i analizojë narrativet kryesore dezinformuese të Rusisë, si dhe akterët e qëllimet që promovojnë këto aspekte të çrregullimit informativ, e në theks të veçantë për Kosovën.
E narrativa kryesore të dezinformimit rus për Kosovën, është kondensimi i shtetësisë së Kosovës, ku target kryesorë është komuniteti serb, të cilët sipas Hibrid-it, akoma vazhdojnë të informohen nga mediat që kontrollohen nga Vuçiq.
Hulumtuesi në Hibrid, Festim Rizanaj ka thënë se edhe pse Kosova dhe Rusia nuk kanë marrëdhënie diplomatike, Kremlini gjithmonë ka përdorur çështjen e Kosovës për të përforcuar retorikën e saj kundër Perëndimit dhe për të ndikuar në politikën e rajonit.
Rizanaj: Kremlini gjithmonë ka përdorur çështjen e Kosovës për të përforcuar retorikën e saj kundër perëndimit
“Interesi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor është që të mbajë rajonin të tensionuar, duke penguar stabilizimin dhe konsolidimin e perëndimit në këtë zonë, veçanërisht për të kufizuar ndikimin e SHBA-së dhe vendeve perëndimore. Mediat të cilat i përdorin, Sputnik dhe Russia Today (RT), kanë një ndikim të gjerë në Ballkanin Perëndimor, duke përhapur narrative negative, për NATO-n dhe BE-në. Edhe pse Kosova dhe Rusia nuk kanë marrëdhënie diplomatike, Kremlini gjithmonë ka përdorur çështjen e Kosovës për të përforcuar retorikën e saj kundër perëndimit dhe për të ndikuar në politikën e rajonit. Përmes vetos në OKB, refuzimit për të njohur Kosovë si shtet i pavarur dhe mbështetjes së Serbisë në forume ndërkombëtare, Rusia përpiqet të pengojë integrimin dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë Rizanaj.
Ndërsa, profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli ka shtuar se qëllimi kryesor i këtyre narrativëve, vazhdon të mbetet mosinkuadrimi i serbëve lokal në institucionet e Kosovës.
Zeneli: Qëllimi kryesor i këtyre narrativëve vazhdon të mbetet pengesa e inkuadrimit të serbëve lokal në institucionet e Kosovës
“Kondensimi i shtetësisë së Kosovës është një nga narrativët kryesore të dezinformimit rus… Në Kosovë, mundemi me gjet që target audienca e kësaj narrative, janë kryesisht komuniteti serb, të cilët akoma vazhdojnë të informohen nga ekosistemi i mediave që kontrollohen nga Vuçiq. Qëllimi kryesor i këtyre narrativëve, vazhdon të mbetet mos inkuadrimi ose pengesa e inkuadrimit të serbëve lokal në institucionet e Kosovës”, ka shtuar Zeneli.
Hibrid.info është një media hulumtuese, e cila kontrollon mediat për lajme të rreme, dezinformata, keqinformime e të tjera.