Departamenti i Shtetit i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “menjëherë” të shtyjë zbatimin e vendimit për pezullimin e dinarit serb në Kosovë, shkruajnë mediat serbe, transmeton Bota sot.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe kundërshtojnë planet aktuale të Kosovës për të vazhduar zbatimin e vendimit,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
“Ne përsëri bëjmë thirrje që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaftueshëm edukuar se si do të ndodhë tranzicioni”, theksoi zëdhënësi në një mesazh të fortë drejtuar Albin Kurtit, i cili më herët deklaroi se kjo çështje është e “panegociueshme” për të.
Zëdhënësi kritikoi vendimin e qeverisë së Kosovës, duke thënë se ai është shpallur “pa përgatitje apo konsultim adekuat” me SHBA-në dhe BE-në.
Zëdhënësi zbuloi se qeveria amerikane ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të shpjegojnë se çfarë “problemi imediate duhet të zgjidhë kjo rregullore” dhe nëse ka nevojë për urgjencë. “Nuk kemi dëgjuar përgjigje adekuate”, tha zëdhënësi.
Duke tërhequr vëmendjen për ndikimin negativ të vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e dinarit serb dhe valutave të tjera të rëndësishme të huaja në popullatën serbe dhe grupet tjera etnike në Kosovë, zëdhënësi tha: “Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë. Ky veprim është gjithashtu në kundërshtim me angazhimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të udhëhequr nga BE-ja për zgjidhjen e çështjeve që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”.
“Qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të shqyrtuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të mundshme. Pasojat e kësaj dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme kufizojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.” Përfundoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Ish-i dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump, Richard Grenell, shprehu shqetësimin në media në lidhje me “sjelljen destruktive” të kryeministrit të Kosovës, duke paralajmëruar se refuzimi i tij për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar “rrezikon jetën amerikane” të ushtarëve të dislokuar në misionet në Kosovë.