Që nga dje lajmi se ShBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh, është duke u diskutuar gjerësisht në Kosovë.
Në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit njoftohej se kërkesa është dërguar në Kongres për miratim, një akt që shënon fillimin e procesit zyrtar të pajisjes së Kosovës me këtë sistem të përparuar anti-tank.
Në lidhje me këtë zhvillim ka shkruar edhe “Associated Press”, gazeta e njohur amerikane. Në shkrimin e saj, tregohet se ShBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa anti-tank “Javelin”, duke treguar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehu “zhgënjim të thellë”.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha më vonë të enjten se miratoi shitjen e mundshme të 246 raketave dhe pajisjeve të lidhura me Kosovën për një kosto të vlerësuar prej 75 milionë dollarësh.
“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë,” tha Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit të SHBA.
Tutje, “AP” ka shkruar se në një deklaratë të zyrës së Vuçiqit thuhet se ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i tha atij se Departamenti i Shtetit i SHBA-së do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongres, i cili shqyrton shitjet e armëve për vendet e huaja.
Në këtë shkrim, po ashtu, theksohet se presidenti i Serbisë tha se “për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe se Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”.
Shitja e propozuar e sistemit raketor në Kosovë vjen në një kohë të tensioneve në rajon. Disa herë në muajt e fundit, Serbia ka zhvendosur trupat e saj në kufirin që ruhet nga trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, akte që nga Perëndimi u vlerësuan si veprime armiqësore.
Vuçiç pohoi këtë muaj se Serbia ka një nga ushtritë më të forta në Ballkan, duke vënë në dukje “numrin e madh” të tankeve që kishte marrë nga Rusia para pushtimit të Ukrainës, shkruan “AP”. Ai u zotua se do të vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vende të tjera, duke përfshirë sistemet kundërajrore, avionët luftarakë dhe dronët, raporton gazeta e njohur amerikane.
Sistemi raketor “Javelin” është përdorur nga ushtria ukrainase për të shkatërruar tanket ruse dhe automjetet e tjera të blinduara.
Kosova ka përmirësuar forcat e saj të armatosura me dronë dhe raketa anti-tank kryesisht nga Turqia, gjë që ka zemëruar Beogradin, përmbyllet shkrimi i “AP”, të cilin e ka botuar edhe “The Washington Post”.