Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sot, teksa shënohet Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve, kujtojmë eksodin e dëbimit të shqiptarëve me dhunë nga forcat paramilitare serbe në luftën e vitit 1998-1999.
“Rreth një milionë shqiptarë ishin shpërngulur në Shqipëri e Maqedoni të Veriut pas dëbimit me dhunë nga forcat serbe e sulmeve të vazhdueshme që po merrnin jetën e burrave, grave e fëmijëve. Mijëra të vdekur e mbi 1600 të cilët figurojnë ende si të zhdukur ishte bilanci i kësaj lufte gjenocidale serbe, që përfundoi pas bombardimeve të NATO-s”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka thënë se pamjet e nënave me fëmijë në krah, të moshuar të torturuar që mezi ecnin nëpër mal, janë pamje që do qëndrojnë të ngulitur në momorien tonë.
“Tmerri i përjetuar, njëlloj si dhe të rënët për lirinë e vendit nuk do të harrohen kurrë. Ata nuk harrohen sepse mungesa e tyre ndihet çdo ditë. Mospranimi i krimeve nga ana e pushtetit serb është t’i dënosh me vdekje për së gjalli familjarët e viktimave, është vrasje edhe më e rëndë se e para”, ka thënë Mehaj.
Mosdënimi i autorëve të krimit, sipas Mehajt, është agonia që pengon ecjen para, qetësia që nuk mund të vendoset dhe e ardhmja paqësore që nuk mund të arrihet.
Pajtimit të vërtetë, siç u shpreh ai, i paraprin drejtësia e kërkim falja për viktimat, pranimi i ekzistencës së njëri-tjetrit e i fakteve, përgjegjësia shtetërore e shoqërore, dëmshpërblimi.
“Agresori të mos sillet si viktimë por të njoh realitetin. Vetëm ashtu bëhet ndërtimi i paqes së qëndrueshme, të ardhmes së sigurt. Drejtësia duhet të vendoset në mënyrë që historia të mos përsëritet”, ka thënë ministri Mehaj.