Armend Mehaj, që sot dha dorëheqja si ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, ka përmbyllur mandatin me një vizitë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Ambasadori Jeff Hovenier e ka falendëruar ish-Ministrin Mehaj për partneritetin me amerikanët gjatë shërbimin të tij në Qeveri.
“E vlerësova mundësinë që të falënderoj ish-Ministrin e Mbrojtjes, Mehajn, për shërbimin e tij, bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe partneritetin gjatë mandatit të tij. Ia dëshiroj të gjitha të mirat në angazhimet e tij të ardhshme”, ka shkruar Hovenier.
Mehaj, i cili erdhi si ushtarak nga Norvegjia, për të shërbyer në Qeverinë e Kosovës dha dorëheqje nga pozita e tij pas 2 vjet e pesë muajsh. Dorëheqjen tha se po e jepte për arsye familjare, të cilat ia kishte kumtuar Kryeministrit Albin Kurti.
Ministër i Mbrojtjes u emërua Ejup Maqedonci, që deri tash ka shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës.