Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mehmetaj do të apelojë dënimin për krime lufte nga gjykata serbe

 
   

Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga Gjykata e Lartë e Serbisë me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999. Ekipi i tij mbrojtës ka paralajmëruar se do ta apelojë këtë vendim.

Gjykata e Lartë e Serbisë tha se ka konstatuar se Mehmetaj në qershor të vitit 1999 kishte marrë pjesë në rrëmbimin e civilit me kombësi rome, Jelaj Ramadan, mbetjet mortore të të cilit ende nuk janë gjetur.

Sipas pretendimeve të gjykatës, bashkë me Mehmetajn kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në vendimin e gjykatës u tha po ashtu se Mehmetaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe në atë kohë lëvizte në fshatin Rudicë me uniformë të UÇK-së.

Në aktakuzën ndaj Mehmetajt thuhej se në mes të qershorit të vitit 1999, ai kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Dashiq dhe në fund të qershorit, kishte marrë pjesë në vrasjen e Jelaj Ramadanit dhe Zorka Shijakoviqit.

Gjykata e Lartë e Beogradit tha se nuk është dëshmuar pjesëmarrja e tij në vrasjen e anëtarëve të familjes Dashiq dhe Zorka Shijakoviqit, si dhe nuk është dëshmuar që Mehmetaj, në korrik të vitit 1999, kishte marrë pjesë në plaçkitjen dhe djegien e dhjetë shtëpive në fshat që i përkisnin joshqiptarëve.

Avokati i Nezir Mehmetajt, Milliq Konstantinoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se do ta apelojë vendimin, pasi, sipas tij, gjykata nuk ka prova relevante për asnjë pikë të aktakuzës.

Ai tha se gjykata nuk i ka pranuar provat që janë paraqitur nga mbrojtja, e të cilat, sipas tij, tregojnë se Mehmetaj nuk ka qenë fare në Rudicë në kohën që përmendet në aktakuzë, por ka qenë në Zvicër.

Gjykata duket qartë se e ka bazuar vendimin në dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, i cili ka dhënë një deklaratë shumë të diskutueshme në Prokurori. Bëhet fjalë për një person që në kohën e këtyre ngjarjeve ishte 14 vjeç”, tha Konstantinoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se gjatë gjykimit, mbrojtja ka theksuar se Mehmetajt nuk mund t’i vihet barra për veprimet që kanë ndodhur pas qershorit të vitit 1999, kur lufta kishte përfunduar.

Në dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë e gjyqësorit më 6 dhjetor, Mehmetajt do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim.

Nezir Mehmetaj u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.

Po atë vit, autoritetet gjyqësore serbe ngritën aktakuzë ndaj tij për krime lufte në Rudicë të Komunës së Klinës në periudhën qershor-korrik 1999.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt dhe të disa qytetarëve të tjerë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia nën dyshime për krime lufte.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës në korrik të vitit 2024 kërkoi nga Serbia që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen atje.

Por, udhëheqësja e kësaj ministrie, Albulena Haxhiu, deklaroi se është e vështirë që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Përveç Mehmetajt, në Serbi gjenden në paraburgim nën akuza për krime lufte edhe Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa. Ndërkaq, Sadiku Duraku, që ishte arrestuar më 17 prill nën dyshime për krime lufte, u lirua në tetor të këtij viti.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Puna e Prokurorisë serbe është kritikuar në të kaluarën.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, mungesa e transparencës dhe mungesa e informacionit – që duhet të jetë i qasshëm publikisht – e kanë përjashtuar publikun prej këtyre proceseve.

Në raportin e fundit të kësaj organizate është përmendur edhe mungesa e dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet në rastet për krime lufte.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka përmendur që “ritmi i gjykimit të krimeve të luftës në Serbi është përkeqësuar në vitet e fundit” dhe se duhet treguar përkushtim të vërtetë për zgjidhjen e rasteve./REL