Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka lënë të kuptohet se emisioni i Rai3 për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët ishte një program i sponsorizuar nga e majta italiane, kundërshtarët më të mëdhenj të Fratelli d’Italia, partia e kryeministres italiane.
Në konventën e kësaj force të mbajtur në Peskara, Meloni ka deklaruar se kryeministri shqiptar dhe qeveria e tij u linçuan nga emisioni Report vetëm se marrëveshja u pa nga te majtët si ndihmë për qeverinë e saj.
“Ne nënshkruam një marrëveshje me Edi Ramën, kryeministrin socialist të Shqipërisë për të hapur dy qendra në këtë vend me qëllim lehtësimin e presionit në brigjet tona dhe për të shkurajuar emigrantët që duan të vijnë në Europë. HAPU QIELL. Pasi bëmë marrëveshjet me Tunisinë dhe Egjiptin, e majta arriti aty sa të propozojë përjashtimin e Edi Ramës nga socialistët europianë sepse kishte guxuar të ndihmonte apo të vihej në dispozicion të një qeverie të qendrës së djathtë për të ndihmuar Italinë. Në vend që ta falënderonin që reagoi në emër të solidaritetit europian, e linçuan. Madje transmetuesi publik italian ai që i kane quajtur “TeleMeloni” “paketoi” një emision për qendrat në Shqipëri në të cilin në arrihej të thuhej se e gjithë Shqipëria ishte një narko-shtet. Më ndihmoni ju lutem t’i dërgojmë një Edi Ramës dhe gjithë popullit shqiptar solidaritetin tonë që u linçuan vetëm sepse tentuan të ndihmojnë vendin tonë”, tha ajo.
Emisioni Report i Rai3 prodhoi një seri replikash mes kryeministrit Rama dhe drejtuesit të tij, Sigfredo Ranucci. Rama i akuzoi gazetarët italianë se kishin gënjyer për pjesën që lidhej me Shqipërinë dhe sekretarin e tij të përgjithshëm, përgjigjet me shkrim të cilit nuk ishin përfshirë në dokumantar.
Kryeministri shprehu gatishmërinë për të ndërhyrë mbrëmjen e kësaj të diele live në emision, por nuk mori publikisht një përgjigje nga drejtuesi Ranucci./tvklan/