Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Memli Krasniqi paralajmëron zgjedhje në fund të vitit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare në muajt e fundit të këtij viti.

Krasniqi e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që të dalin në zgjedhje që ai ta shohë nëse qytetarët vazhdojnë t’i besojnë apo jo, duke thënë se “sondazhi i vetëm që vlen sot është kutia e votimit”.

“Shpresa ime është sa më herët, unë besoj sivjet. Këtë vit unë besoj se duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. A është dhjetori a është tetori, është relevante, sa më herët është më mirë. Unë besoj që s’duhet me u frikësu prej zgjedhjeve. Nëse Qeveria, nëse kryeministri Kurti beson që ka bo punë të mirë, beson që ka mbështetje, hajde dalim në zgjedhje dhe shikoje a po të besojnë njerëzit njëjtë. Nuk janë më me rëndësi sondazhet, ato janë irelevante, sondazhi i vetëm që vlen sot është kutia e votimit, qytetari i Kosovës”, deklaroi shefi i partisë më të madhe opozitare.

Krasniqi ka folur edhe për Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, për të cilën ka thënë se është “turpi i politikës së jashtme”.

“Politika e Jashtme sot, veç një politikë nuk mund të quhet. Ne kemi një kryeministër që na ka konfrontuar me krejt botën dhe kemi një ministre të Jashtme e cila është turpi i turpit të politikës së jashtme”, deklaroi ai.

Krasniqi tha se Gërvalla ka ofenduar BE-në, sikur ajo të jetë “përfaqësuese e Rusise ose Sirisë, Koresë së Veriut apo Iranit”.

Ai ka folur edhe për situatën në veri. Krasniqi ka thënë se në veri nuk është e nevojshme dorëheqja e dy kryetarëve nga radhët e PDK-së, por depërshkallëzimi i situatës.

“Sot për sot, nuk ka asnjë kuptim dorëheqja, as zgjedhjet e reja, sepse krejt çfarë do të ndodhë është përsëritja e situatës aktuale. Ajo çka është e nevojshme është depërshkallëzimi i situatës, që të mos ketë tension, që para gjithash qytetarët atje, dhe sidomos shqiptarët, ta kenë një siguri më të madhe që nuk e kanë, ta kemi pra një lloj normalizimi”, deklaroi Krasniqi në Click të RTV21.

Krasniqi tha se ideale do të ishte një marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti, qoftë siç tha ai, “një shpërndarje e Kuvendit”.

“Dorëheqja nuk zgjidh asgjë, nëse do të kishim një marrëveshje me Albin Kurtin për shembull, që ishte ideale, qoftë me shpërnda Kuvendin, që e ka më lehtë sesa me dhënë dorëheqje, sepse ai dëshiron me qenë kinse i padorëzum, atëherë do të mund të bisedonim edhe për këto. Përndryshe nëse do të ketë një përshkallzim të ri, koordinimi im do të jetë me SHBA-në dhe BE-në”, u shpreh Krasniqi.

Ai tha thënë se PDK-ja do të bllokojë çdo gjë të mundshme në Kuvend, për shkak se siç tha ai, “Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti, Kosovën e kanë çuar larg në një kurs krejtësisht të gabuar, në një kurs konfrontimi me aleatët kryesorë”.

“2 vjet e gjysmë, jo që ua kemi dhënë shansin, por edhe i kemi mbështetë, krejt marrëveshjet ndërkombëtare që kanë kaluar deri tash i kemi kaluar ne sepse LVV kurrë nuk do të mundte ti kalonte vetë. Ne po flasim sot për disa marrëveshje që janë vonuar për shkak të Qeverisë, këto janë faje dhe gabime të tyre. Sot, kur shihet qartë se kjo Qeveri dhe ky kryeministër, Kosovën e ka çuar larg në një krejtësisht të gabuar, në një kurs konfrontimi me aleatët kryesorë tanë, në një kurs ku ka qenë e paimagjinueshme që neve me na dhënë sanksione BE-ja e SHBA-ja, e që nuk ka asnjë angazhim për jetën e qytetarëve, ne besojmë që më nuk ka mundësi tjetër, përveç që të punojmë çdo ditë për ta ndalur këtë theqafjen në të cilën po na dërgon Albin Kurti, qoftë edhe përmes bllokimit të punës në Kuvend, aty ku mundemi. Nuk mundemi t’i bllokojmë të gjitha ligjet, pasi që ata kanë shumicën parlamentare, mirëpo marrëveshjet ndërkombëtare mundemi, nuk do të marrim pjesë në asnjë votim, as në komisione, as në seanca, e kemi shkëput komunikimin zyrtar edhe me kryeministrin edhe me presidenten, me këtë të fundit për shkak të një zhgënjimi me të, për mungesën totale të guximit që të ketë mendim” tha Krasniqi.