
Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka reaguar për vdekjen e Bajram Qerkinit, kryetarit të shoaqës “Zëri i Prindërve”.
Ai ka thënë se Qerkini ishte fuqia e prindërve në pritje dhe zemra e një populli që ende pret drejtësi.
“Me dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e Bacës Bajram Qerkini. Ai nuk ishte thjesht Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve” – ai ishte fuqia e prindërve në pritje dhe zemra e një populli që ende pret drejtësi.”
Krasniqi ka thënë se Qerkini nuk i gjeti eshtrat e djalit të tij, Reshatit.
“Baca Bajram nuk i gjeti kurrë eshtrat e djalit të tij, Reshatit. Ai jetoi me atë dhembje dhe e shndërroi në forcë, në këmbëngulje, në një betejë të pandalshme për të vërtetën, kujtimin dhe drejtësinë. Kauza e Bacës Bajram, ashtu si edhe e qindra bashkëkombësve tanë të tjerë, mbetet amanet i përjetshëm. Nuk do t’i harrojmë ata që mungojnë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ta. I lehtë të qoftë dheu i Kosovës. Pusho në paqe, Bacë!”