Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, është parë duke hyrë në Pallatin e Drejtësisë, ku do të intervistohet lidhur me dhunën e përdorur dje në Kuvend, ku ai dhe disa deputetë të tjerë të PDK’së u përleshën fizikisht me ministrat e Qeverisë Kurti.
Gazetarja po qëndron atje, prej ku ka dërguar pamje ku shihet Lushtaku bashkë me avokatin e tij.
Deri tash, Prokuroria ka intervistuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Financave, Hekuran Muratin.
Për intervistim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës janë ftuar edhe deputetët Hajdar Beqaj dhe Bekim Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se do të intervistohet gjatë javësh së ardhshme.
“Organet e drejtësisë janë të pavarura në punën e tyre, kurdo qe te më thirrin do te ju përgjigjem. Jam kontaktuar nga prokuroria, javën tjetër do të intervistohem”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë eskaluar në dhunë gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës.
Gjithçka ka filluar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e hoqi foton e Kurtit që ishte vendosur nga opozita te pankarta “Zdravo”.
Deputeti i PDK’së, Mërgim Lushtaku e gjuajti pastaj me ujë kryeministrin Albin Kurti, derisa ai po mbante fjalim në foltore.
Pas kësaj zëvendëskryeministri Bislimi shihet duke e gjuajtur me shishe Lushtakun, ku afrohen Ministri Hekuran Murati dhe Ministrja Albulena Haxhiu.
Lushtaku shihet duke i shtyrë të dy dhe pastaj afrohet edhe deputeti tjetër i PDK’së, Hajdar Beqa dhe deputeti i VV’së, Armend Muja, ku eskalon situata. Aty përfshihet edhe deputeti Bekim Haxhiu.
Pastaj ndërhyjnë edhe sigurimi. Kryeparlamentari Glauk Konjufca më pas e thirri Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë i ka iniciuar hetimet për këtë rast. Përmes një komunikate ku thuhet se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, mes tyre edhe marrja e deklaratave nga palët e përfshira në këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale ‘Sulmi’, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.