Në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë po merren në pyetje tre policët e Kosovës, të cilët sipas autoriteteve në Beograd, janë “arrestuar” në territorin e Serbisë më 14 qershor.
Lajmin e kanë konfirmuar për REL-in nga Prokuroria e këtij qyteti në jug të Serbisë.
Prokuroria nuk është përgjigjur se çfarë akuzash rëndojnë mbi tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë kidnapuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Autoritetet në Serbi të premten e 16 qershorit duhet të vendosin për trajtimin e mëtjemë të çështjes së arrestimit të tre policëve të Kosovës, pasi kanë kaluar 48 orë nga arrestimi i tyre.
Ky është afati ligjor në të cilin Prokuroria duhet të vendosë nëse do të propozojë masën e paraburgimit prej një muaji, dhe më pas gjyqtari të marrë vendimin.
Nëse një vendim i tillë nuk merret, policët kosovarë duhet të lirohen.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës.