Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare, duke theksuar se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera.
Presidenti kroat tha se dy vendet mike dhe aleate ndajnë shumë lidhje historike, kulturore, gjeografike dhe politike.
“Kroacia dhe Shqipëria kanë filluar të forcojnë dhe zhvillojnë sërish marrëdhëniet e tyre më shumë se 30 vite më parë, pas ndryshimeve të rëndësishme demokratike. Sot dy vendet tona kanë marrëdhënie të shkëlqyera, pa çështje të hapura dhe ne jemi të lidhur më tej edhe përmes aleancës në NATO. Në tre dekadat e fundit kemi krijuar një marrëdhënie strategjike që konfirmohet nga një dialog politik dinamik në të gjitha nivelet politike”, u shpreh Milanoviq.
Ai tha se Kroacia i kushton rëndësi të madhe stabilitetit, sigurisë dhe përparimit të Evropës Juglindore dhe mbështet fuqishëm perspektiven evropianë të gjithë rajonit.
Presidenti Milanoviq shtoi se Kroacia do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Kroacia dhe Shqipëria janë ndër vendet lider që jo vetëm mbështesin, por edhe promovojnë në mënyrë aktive njohjen universale të Republikës së Kosovës në të gjitha rastet ku kjo është e mundur. Shqipëria njihet në skenën e gjerë ndërkombëtare si një partner konstruktiv që kontribuon në paqen dhe sigurinë në rajon”, tha Milanoviq.
Presidenti i Kroacisë po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë, gjatë ditës së sotme u takua me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Edi Rama.