Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Milionat për mbrojtjen e Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit… Pse Kosova po financon të dyshuarit për vrasjet politike?

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot” ka kritikuar ndihem që po u jepet të akuzuarve nga Gjykata Speciale, të cilët ndër tjerash po akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të ish presidentit Ibrahim Rugova.

“Prej ditës së parë kur katër a pesë ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dhe zotin Thaçi, u arrestuan dhe shkuan në Hagë, qeveria e Kosovës inicoi një lloj detyrimi për të shlyer shpenzimet e tyre në pagesat e avokatëve. Këtë lloj detyrimi nuk e kontestoi as qeveria Kurti. Mesa duket dalldia, sipas së cilës të akuzuarit duhen ndihmuar, ndryshe humbet elektorat, e përfshiu edhe qeverinë e zotit Kurti.  Tani shohim se prej janarit deri sot qeveria e Kosovës ka paguar kryesisht për avokatët e të akuzuarve afërsisht 5.5 milion euro. Është kjo një shumë që do ta kishin zili edhe avokatët më të famshëm të botës. E di se atmosfera që u krijua para tri vitesh e më pas imponoi një pjesëmarrje të tillë të qeverisë në mbrojtjen e këtyre komandantëve. Por ne akoma nuk e dimë të vërtetën. Nuk dimë ende nëse komandantët e akuzuar dhe të arrestuar, të cilët sot hetohen në një proces gjyqësor në Gjykatën Speciale, janë të fajshëm apo të pafajshëm. E kam thënë vazhdimisht se prova për krime e dhunë kundër serbëve zor të ketë”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, rreth 200 kundërshtarë politikë të katër të akuzuarve janë ekzekutuar për shkaqe politike, me qëllim që të dobësohej autoriteti i Ibrahim Rugovës.

“Është interesant se ata që u likuiduan kishin luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mesa duket vrapi për ta marrë gjithë lavdinë e kësaj lufte i bëri disa ish-komandantë të zhduknin gjurmët e atyre që ishin në krahun e Rugovës dhe kishin merita të padiskutueshme në luftën e Kosovës. Por u eliminuan ose u plagosën në tentativë për ti eliminuar edhe eksponentë të tjerë, intelektualë, gazetarë etj, të cilët mbronin bindjet e tyre në krah të presidentit historik, Ibrahim Rugova!”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

“Ata që e paguan me gjakun e tyre ishin në shumicë dërmuese anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. E për fatin e keq të tyre, fillimisht me presion nga faktori ndërkombëtar e më pas për shkak të lidhjeve të dyshimta, lidershipi i LDK-së pas Rugovës u bë njësh me këta që sot akuzohen në Hagë. Madje dikur harruan gjakun e atyre që vdiqën e dhanë jetën për kauzën e Kosovës në rrugën e sipas vizionit të Ibrahim Rugovës! Pra, ka akuza, por nuk e dimë ende nëse ata janë të fajshëm për këto vrasje! Ka dëshmi që provojnë disa vrasje të tilla politike. Por ende nuk e dimë, nëse gjykata do ti pranojë si prova të pakontestueshme!”, shton Bytyçi.

Image
Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

Ai thotë se i gjithë ky financim që po u behët të akuzuarve të Speciales, po bëhet për shkak të ish presidentit, Hashim Thaçi, i cili gjendet tani i burgosur në Hagë.

“Në këto kushte përkushtimi financiar i qeverisë së Kosovës në favor të akuzuarve nuk ka mbajtur parasysh ekuilibrin midis dëmit që u është shkaktuar veprimtarëve të LDK-së dhe mbështetësve të Rugovës, si dhe prezumimit të pafajësisë së të akuzuarve. Këtë ekuilibër në favor të Thaçit e të tjerëve në Hagë e prishi fillimisht kryeministri Hoti, mesa duket nën trysninë e Isa Mustafës. Madje financimi u vendos vetëm pasi shkoi në Hagë Thaçi, çka le të kuptosh se ndoshta nuk do të kishte financim, nëse ish-presidenti i Kosovës nuk do të ishte arrestuar! Mosruajtja e ekuilibrave socialë dhe raporteve midis drejtësisë dhe padrejtësisë bëhet gjithnjë shkak për ngatërresa e konflikte të shtuara”, thekson Bytyçi.

Më tej, Bytyçi kritikon gjyqësorin në Kosovë, për të cilin thotë askush nuk ka dhënë deri më tani llogari për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Familjet dhe të afërmit e të likuiduarve duan drejtësi. Ndërkohë gjyqësori në Kosovë nuk e dha kurrë këtë drejtësi. Për asnjë vrasje politike nuk ka dhënë dikush në Kosovë llogari, pra nuk është dënuar nga drejtësia. Kur mungon drejtësia, prishet ekulibri social. Tani shtohet edhe rasti i financimit me miliona euro i mbrojtjes së atyre që së paku dyshohen për krime politike në Kosovë. Familjet dhe të afërmit e ekzekutuar për arsye politike kanë të drejtën e Zotit që të shtrojnë pyetjen: – Sa euro ka investuar dhe financuar qeveria e Kosovës për këto familje si dëmshpërblim për humbjen e jetëve të pafajshme? Sa euro kanë përfituar ato familje nga qeveritë Mustafa e Hoti? Po nga qeveria Kurti? Publiku duhet informuar për këtë. Të thuhet se sa para janë shpenzuar nga taksat e qytetarëve të Kosovës për viktimat, të cilat dyshohen se janë shkaktuar nga të akuzuarit në Gjyqin Special të Hagës. Me siguri që sasia është e papërfillshme. Ndërkohë 5.5 milion harxhohen në tetë muaj për të mbrojtur ata që akuzohen për këto krime!”, shpjegon Bytyçi.

Sipas Bytyçit, qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes me financimin që po u bën të dyshuarve edhe për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“E thashë, ata mund të mos jenë përgjegjës për këto krime, por derisa janë të dyshuar, çdo qeveri e përgjegjshme do të bënte shumë kujdes. Nuk i lejohet një qeverie demokratike, të përgjegjshme dhe në përkushtim të shtetit të së drejtës, të bëjë diferencime dhe diskriminime pozitive e negative njëkohësisht në favor të akuzuarve për krime. Paratë që paguhen dhe me taksat e familjarëve dhe të afërmve të viktimave politike në fjalë. Si do të ndihen këto familje në këtë rast? Sigurisht që shumë, shumë keq”.

“Financimi nga qeveria ka krijuar mundësinë që të akuzuarit të marrin avokatët më me famë në Europë e SHBA. Madje jë një avokat, por dy e tre të tillë. Pse të mos i marrin ata edhe dhjetë avokatë, përderisa këta i paguajnë qytetarët e Kosovës?! Mundej dhe duhej së paku të kufizohej edhe numri i avokatëve, edhe shuma e parave që përdoren për pagesë ndaj tyre. Nuk mundet që një qeveri anti-korrupsion të hapë thesin edhe në raste të tilla. Thjesht për kapital politik e për të shtuar numrin e votave. Koncepti që të shtohet elektoral duke abuzuar me paratë e taksapaguesve të Kosovës është koncept korrupsioni. Ligjërisht mund të mos konsiderohet i tillë. Por ama mendësia është e tillë. Sepse është vepruar me konceptin “Mos kurseni për luftëtarët e UÇK-së”! Por edhe avokatia dhe pagesa për ta ka e duhej ta kishte një limit! Çdo abuzim është korrupsion, së paku si mendësi e shpërdorimit të parave publike!”, përfundon për “Bota sot”, profesor Enver Bytyçi.