Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe ministren Artane Rizvanolli për gjuhë fragmentuese në Kuvendin e Kosovës. Abazi ka thënë se një nisje e tillë e sesionit pranveror të Kuvendit nuk është fare e mirë.
“Mendoj që është një nismë jashtëzakonisht jo e mirë e këtij sesioni pranveror, dmth përsëritja e gjuhës fragmentuese nga VV-ja tregon se do të vazhdojë thellimi i mendësisë së konfliktit dhe mosrespektimit të fjalës së lirë në parlament”, ka thënë Abazi.
Ai ka thënë se gjuha e ministres Rizvanolli është e një niveli tepër të ulët profesional dhe manipulim i varfërisë energjetike dhe që s’ka të bëjë me vizion energjetik. Abazi gjithashtu ka kritikuar faktin që Rizvanolli dhe Kurti po krenohen me subvencionimin e prerjes së drujve në vitin 2024.
“Gjuha e ministres është e nivelit më të ulët profesional që mund ta dëgjojmë. Po flasim për manipulim të varfërisë energjetike dhe jo për vizitonin energjetik. Po flasim për subvencionim të blerjes së drujve në vitin 2024. Stiumulohet prerja e pyjeve dhe ministrja e kryeministri thonë se është arritje prerja e pyjeve”, ka thënë ai tutje.
Sipas Abazit, një profesor nuk mund të flasë në një mënyrë të tillë për energjinë.
“Këto janë politika të dëmshme manipuluese. S’guxon një profesor qoftë edhe i ekonomisë me folë për energjinë në këtë formë, sepse jemi në një krizë”, ka potencuar tutje.
Abazi ka pasur fjalë edhe për shefen e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lilën, duke thënë se ka fytyrë të dalë dhe të flasë për Veriun, kur tashmë kanë kaluar tri vite dhe janë shpenzuar 120 milionë euro për pagesën e energjisë së shfrytëzuar atje.
Ai ka kërkuar edhe bërjen publike të kontratës me kompaninë Elektrosever.
“Edhe sot ka Mimoza Kusari fytyrë me dalë me folë për suksese dhe pret mirëkuptim për Veriun që pas tri viteve, pas shpenzimit të 120 milionë eurove dhe me një kontratë me Elektroseverin. Bëjeni publike kontratën, ta shohim cila është marrëveshja me Elektroseverin. Pastaj flasim cili është suksesi aty. Mos u fsheh si në rastin e Komisionit Hetimor për Rezervat shtetërore”, ka thënë ai.
Abazi ka thënë se qytetarët po përballen me varfëri energjetike dhe se shteti po menaxhon me këtë varfëri.
“Qytetarët po përballen me varfëri energjetike. Këtu ka menaxhim të varfërisë energjetike. Këtu përfundon debati i aspektit politik të qasjes juj. Dua të iu kujtoj se z.Edi Rama se në vitin e parë e ka kthyer sistemin e shpërndarjes së energjisë nga CEZ tek shteti. Në vend se të vajtoni, merrni kthejeni në pronësi të shtetit monopolin natyror të shpërndarjes së energjisë elektrike. Por s’jeni të interesuar”, ka shtuar ai.
Deputeti Abazi ka thënë se në Kosovë secili sektor është keq e më keq dhe se normalisht që qytetarët e lëshojnë vendin.
“Arsim keq, shëndetësi edhe ma keq, energjetikë të mos flasim. Atëherë sigurisht që kritika e politikave të kaluara se njerëzit nuk po shohin të ardhme është thelluar edhe më shumë. Përveç se tash s’po i bartin më prej stacionit të autobusëve, por po i bartin para dyerve të tyre nëpër fshatra të Kosovës dhe po shpopullohet vendi pikërisht për shkak të mungesës dhe manipulimit të integritetit tyre që po iau bëni me kah 100 euro çdo tre-katër muaj. Shqiptarët s’kanë vdekur për bukë kurrë, por për integritet e drejtësi, patjetër që kanë me kërku jetë diku tjetër”, ka thënë Abazi.