Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Minatorët në grevë, reagon menaxhmenti i Trepçës: Greva të ndërpritet menjëherë, është e jashtëligjshme

Menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” janë shprehur të shqetësuar për situatën e krijuar në minierën e Stantergut, ku minatorët që nga dje kanë hyrë në grevë.

Sipas menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje, ata janë duke punuar gjatë gjithë kohës për tejkalimin sa më të lehtë të kësaj situate, teksa kanë kërkuar që greva të ndërpritet menjëherë.

“Ne konsiderojmë se kjo grevë duhet të ndërpritet menjëherë për shkak se një grevë e tillë nuk është ligjore, sepse nuk është paralajmëruar sipas ligjit LIGJI Nr. 03/L-200 për greva, dhe konsiderojmë se nuk ka arsye reale për të rrezikuar me shume sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve”.

“Përkundër vështirësive operative dhe rënies së çmimit të metaleve në bursë, minatorët dhe punëtorët e ndërmarrjes Trepça Sh.A. të mbështetur nga Qeveria e Republikë së Kosovë, rregullisht për çdo muaj i kanë marrë pagat e tyre të plota”, thuhet në reagim.

Më tej, sipas menaxhmentit të “Trepçës”, për herë të parë pas dy dekadave, minatorëve iu janë rritur pagat mbi nivelin e minatorëve të minierave në rajon.

“Po ashtu është ngritë edhe shtesa për shujtën ditore për çdo minator në ndërmarrjen Trepça Sh.A. Ketë menaxhmenti e ka bere vetëm me qëllim që të vlerësojë dhe motivoj minatorët e ndërmarrjes. Prandaj, me mirëkuptim lusim të gjithë punëtorët qe ti kthehen detyrave dhe angazhimeve te punës dhe mos të ndikohen nga grupet e interesit dashakeqëse të cilat nuk kanë interes zhvillimin e ndërmarrjes Trepça Sh.A”, thuhet tutje në reagim.

Menaxhmenti po ashtu ka thënë se i përgënjeshtron deklaratat e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, i cili sipas tyre, ka thënë se ka pasur komunikim me menaxhmentin ku këta të fundit janë shprehur keq për grevën dhe gjendjen e minatorëve.

“Fjalët që ka thënë z. Januzi kinse menaxhmenti është dashakeq për minatorët, janë shpifje të ulta qe nuk përkojnë me sindikalistet e minierës”, tha menaxhmenti.