Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministri Aliu: MMPHI s’ka importuar shtylla prej Serbisë, është dezinformatë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka demantuar lajmet se shtyllat e vendosura në Gjilan janë inportuar nga Serbia.

Aliu thotë se Ministria nuk ka mundësi ligjore që të ndërhyjë, monitorojë apo ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato importojnë.

“Sigurisht se ne nuk do të dëshironim që furnizimi për lëndën e parë të bëhej nga Serbia për asnjë produkt, e sidomos nëse mund të sigurohet produkti nga vendet tjera” ka thënë mes të tjerash Aliu.

Ky është reagimi i plotë i ministrit:

Lajmi se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka importuar shtylla prej Serbisë është dezinformatë.

Ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë, apo të monitorojë e të ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato importojnë.

Ministria mbikqyr konkursin, projektimin, punimet, cilësinë e realizimit dhe kohën, mirëpo Ministria as nuk e përcakton, e as nuk merr raportim e informim se prej nga vjen lënda e parë që e përdorin kompanitë private të kontraktuara. Ajo pjesë rregullohet vetëm nga ligjet dhe marrëveshjet në fuqi që tregojnë se cilat importe lejohen e cilat jo.

Po ashtu, si Ministri ne përcaktojmë specifikacionet teknike dhe dimensionet, por me ligj e kemi të ndaluar që të favorizojmë një produkt apo një prodhues.

Sigurisht se ne nuk do të dëshironim që furnizimi për lëndën e parë të bëhej nga Serbia për asnjë produkt, e sidomos nëse mund të sigurohet produkti nga vendet tjera.

Prandaj, të gjitha pretendimet që fajësojnë Ministrinë për lëndën e parë që e përdor një kompani private, janë të pavërteta, dhe me tendencë për të dezinformuar dhe mashtruar opinionin publik.