Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Ministri Aliu nuk shkon në Komision, opozita: Frikësohet nga gjendja e vitit 2022-23

 
   

Me debate mes opozitës dhe pozitës është përcjellur mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje e Financave Publike, ku i ftuar ka qenë për raportim ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, por i njëjti nuk ka marrë pjesë në komision.

Opozita ka kërkuar që raporti i auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, të shqyrtohet në seancë plenare, por një gjë të tillë e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami deklaroi se në kabinetin e kësaj ministrie janë dy ministra. Sipas saj, po vjedhet dhe nuk po punohet.

“Janë 27 persona staf politikë, janë dy ministra. Maksimumi i stafit që lejohet janë 17. Sot nuk e gjen asnjëri prej tyre të vjen të përballen me të gjeturat e Zyrës së Auditorit”, deklaroi ajo.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se ministri Liburn Aliu po ikë nga kjo situatë për shkak të gjetjeve të raportit.

“Ministri është frikësuar nga gjendja e vitit 2022 dhe 2023 dhe kemi punë më shumë për Prokurorinë e Shtetit se sa për Zyrën e Auditorit”, theksoi Beqa.

Deputeti Halil Thaqi tha se nuk do ta votojë këtë raport, për çka tha se pa diskutimin e ministrit, nuk duhet të dërgohet në seancë.

Më pas ka reaguar deputetja, Abana Bytyqi, për çka tha se i njëjti po heziton ta votojë ketë raport për shkak të “dallavereve”.

Asaj i reagoi deputeti Thaqi i cili tha se “infrastruktura është pikë e dobët e AAK-së”.

Kurse, deputetja Bytyçi i tha se “Ti pikë të dobët e ke KEK-un. 100 mijë dallavere i keni bërë qe tri vjet”.