Ministri i Bujqësisë i Ukrainës ka ofruar dorëheqje më 25 prill pasi ai u emërua si i dyshuar në një hetim për korrupsion mulimilion dollarësh.
Mykola Solskiy ofroi dorëheqjen përmes një letre, të cilën kryetari i Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, e publikoi në Faebook.
Solskiy kërkoi që dorëheqja e tij të shqyrtohej në seancën e radhës plenare, tha Stefanchuk.
Solskiy është akuzuar se ka marrë ilegalisht një tokë në vlerë prej 7 milionë dollarësh.
Ai ka thënë se çështja përfshin ngjarje që kanë ndodhur më 2017-2018 dhe se toka u është dhënë ushtarëve “në përputhje me ligjin”.
Ai ka premtuar se do të bashkëpunojë me hetuesit, teksa ka mohuar çdo keqbërje.
“Nuk ka pasur korrupsion. Askush nuk ka marrë para”, tha ai përmes një deklarate që u transmetua nga televizioni publik ukrainas.
Ai më herët ka deklaruar se gjatë kohës sa ishte avokat më 2017, kishte përfaqësuar disa individë privatë në një mosmarrëveshje tokësore kundër kompanive shtetërore në rajonin e Sumit.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, ka pasur spekulime në mediat ukrainase se disa ministra do të shkarkohen, përfshirë edhe Solskiy.
Ukraina po lufton afera të mëdha korruptive, në përpjekje për t’i dëshmuar Perëndimit se është serioze në kryerjen e reformave në mënyrë që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. /REL