Mediat shtetërore iraniane raportuan se ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, do të udhëtojë për Teheran më 4 gusht, për një vizitë të rrallë, në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe armikut të tij të përbetuar, Izraelit, janë rritur.
Safadi dhe ministri i Jashtëm në detyrë i Iranit, Ali Baqeri Kani, biseduan në telefon dy herë në dy ditët e fundit, për zhvillimet në Lindjen e Mesme, pas vrasjes në Teheran të Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Vizita e Safadit në Iran do të jetë e para nga një ministër i Jashtëm jordanez prej marsit të vitit 2015.
Palestinezët bartin fotografi të Ismail Haniyeh (majtas), liderit politik të Hamasit, i cili u vra në Iran, gjatë një marshi për ta dënuar vrasjen e tij, në kampin e refugjatëve palestinezë në Burj al-Barajneh, Bejrut, 31 korrik 2024.
Vdekja e Haniyehut në tokën iraniane dhe sulmet izraelite ndaj grupeve të mbështetura nga Teherani, të cilat përfshihen në sulme kundër Izraelit, kanë nxitur frikë për rrezikun e shpërthimit të një lufte të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Izraelit dhe për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.
Haniyeh u vra mëngjesin e 31 korrikut në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masud Pezeshkian, në Parlament.
Irani dhe Hamasi e kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyehut dhe janë zotuar se do të hakmerren. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij, por as nuk e ka mohuar atë./rel