Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministri i Mbrojtjes: Avancimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, hap i madh për sigurinë

 
   

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka mirëpritur vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës.

Maqedonci në një postim në “X”, ka shkruar se ky është në hap i madh për sigurinë.

“Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s vendosi sot ta avancojë Kuvendin e Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar. Ky është një hap i madh përpara për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar ai.

Ndërkaq një postim në Facebook, Maqedonci ka shtuar se në 25 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s po shënojmë një kapitull të ri me lajmin që Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë

Parlamentare të NATO-s ka marrë vendimin që Kosova nga vëzhgues parlamentar të pranohet si shtet anëtar i asociuar.

“24 marsi i vitit 1999 shënoi një momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur, gjersa sot me këtë vendim të NATO-s jemi edhe një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit tonë si shtet i pacënueshëm e për Ballkan stabil”, ka shkruar ministri.

Ministri është shprehur se intervenimi i NATO-s i 24 marsit të vitit 1999 nuk kishte si të mos ndodhte pasi ishte e vetmja formë që do të mund t’i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me forcë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit si veprim në mbështetje të vlerave të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë.

“Është për keqardhje që fqinji ynë verior edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës nuk kërkon falje dhe as nuk ndjen keqardhje për gjenocidin e kryer në Kosovë. Arkivat shtetërore nuk u hapën kurrë, ndërsa ekzekutorët e krimeve të shtetit serb vazhdojnë të enden të lirë.

Gjersa sot ne kujtojmë bombardimet e NATO-s si veprimin më të drejtë të kësaj aleance të fuqishme ushtarake shteti serb vazhdon të fajësojë NATO-n dhe të arsyetojë veprimet gjenoicidale të Milosheviqit. Kjo flet shumë për një mendësi të njëjtë që vazhdon të ekzistojë tek pushtetarët e Serbisë”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai ka shtuar se nuk mund të kthejmë në jetë viktimat, të vrarët e masakrave, por i jemi mirënjohës përjetë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe NATO-s që bën të mundur që ne sot të jetojmë në shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës.