Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministri Krasniqi: Me hapjen e Urës së Ibrit përfitojnë të gjithë

 
   

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaron se nuk ka ndryshuar qëndrimi i Qeverisë së Kosovës sa i përket çështjes së Urës së Ibrit. Ai ka thënë se ka nevojë për më shumë bashkëpunim ndëretnik dhe jo për ndarje. Ndërsa shton se urat janë për t’i bashkuar qytetarët dhe jo për t’i ndarë ata.

Megjithëse nuk jep ndonjë datë se kur mund të hapet kjo urë, thotë se hapja e saj do të ishte në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Krasniqi: Urat janë për t’i bashkuar qytetarët dhe jo për t’i ndarë

“Unë e kam parë edhe si ministër që është bërë publike një deklaratë nga zyra e kryeministrit, pas takimit që ka pas me ambasadorin e BE-së, dhe ambasadorë e QUINT-it dhe ku është diskutuar kjo çështje. Krejt çfarë mund të them, është qëndrimi jonë i vjetër që liria e lëvizjes nuk duhet të ketë përkufizime në asnjë aspekt, as në territorin e Republikës së Kosovës, por edhe më gjerë. Urat janë për t’i bashkuar qytetarët e qytetit dhe jo për t’i ndarë. Ky parim vlen edhe për urën në fjalë, besoj se kemi nevojë për bashkëpunim ndëretnik më shumë dhe jo për ndarje…Koncepti i lirisë së lëvizjes së qytetarëve është ai i cili duhet të na udhëheq dhe secila mundësi që qytetarët të komunikojnë është e mirëseardhur. E gjitha që ka rëndësi është kjo, përfitojnë të gjithë”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, sa i përket vendimit të BE-së për heqjen e vizave për pasaportat ilegale serbe për serbët e Kosovës, Krasniqi shprehet se kjo nuk ndikon aspak mirë as në integrimin e komuniteti serb.

Krasniqi: Ato janë pasaporta ilegale

“Ato janë pasaporta ilegale dhe nuk besoj se kjo ndikon aspak mirë, as në integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës, vazhdimin e integrimit tyre. Tashmë pasaporta e Republikës së Kosovës është çdo ditë e më e kërkuar nga serbet, jo vetëm në veri të vendit, por gjithandej ku jetojnë serbet në Kosovë. Dhe ky është një veprim i gabueshëm nga ata të cilët e pranojnë këtë dokument, i cili për Kosovën është dokument ilegal, njëjtë sikur komunat ilegale edhe ky pasaportë për Kosovën është ilegal”, shprehet Krasniqi.

Ministri Krasniqi ka ritheksuar se reagimet e opozitës lidhur me kontratat njëburimore ndaj kësaj ministrie nuk qëndrojnë, pasi siç thotë ai, nuk ka asnjë kontratë një burimore në MAPL.

Krasniqi: Nuk ka asnjë kontratë një burimore në MAPL

“Deputeti Hoti dhe deputetja Bajrami para disa ditëve kanë pasur një reagim ku flasin për kontratën një burimore dhe i referohen dhe ministrisë tonë që ka pasur kontrata një burimore, dhe rikonfirmoj se nuk ka asnjë kontratë një burimore në MAPL”, thotë Krasniqi.

Ai ka treguar edhe për investimet që kanë realizuar në të mirën e komunave të vendit.

Krasniqi: Ndër kryesoret edhe nga përkrahja buxhetore e ministrisë tonë është granti i performancës

“Ne kemi disa programe specifike për të cilat tashmë dihet mirëfilli. Ndër kryesoret edhe nga përkrahja buxhetore e ministrisë tonë është granti i performancës, i cili tashmë bazohet në një ligj specifik dhe ai ligj parasheh që komunat të raportojnë, dhe në bazë të raportimit të tyre dhe performancës bëhet një përzgjedhje e komunave dhe nga ai proces shpërblehen me buxhet shtesë përmes garantit të performancës që aktualisht është tetë milionë së bashku me mjetet e donatoreve, të cilin në këtë rast janë disa kryesor, siç është qeveria zvicerane, suedeze, norvegjeze, zyra e BE-së, bashkë me buxhetin e komunës përbejnë një fond prej rreth tetë milionë euro. Kemi disa komuna përfituese këtë vit, janë 11 komuna përfituese, të cilat tashmë janë në implementim e sipër të projekteve të tyre me komunat e Republikës së Kosovës, ku qytetarët përfitojnë përmes garantit të performancës komunale…Programi i dytë ka të bëjë me investimet socio-ekonomike për komunat e Republikës së Kosovës, ku nga buxheti i ministrisë dhe komunave bashkohen fondet dhe investojnë në zonat ku jetojnë edhe komunitetet, mirëpo edhe grupet e tjera më nevoja më specifike”, përfundon Krasniqi.