Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministri Murati: Rritje e ndjeshme e ndërmarrjeve të reja në Kosovë, përkundër pretendimeve të opozitës

 
   

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i financave Hekuran Murati ka ndarë të dhëna inkurajuese mbi rritjen e ndërmarrjeve të reja në Kosovë gjatë vitit 2023 dhe tetë muajve të parë të vitit 2024. Duke cituar të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Murati theksoi se janë shtuar 9,807 ndërmarrje të reja neto gjatë vitit 2023, me një total prej 11,409 ndërmarrjesh të reja të regjistruara dhe 1,602 të shuara.

Murati gjithashtu vuri në dukje se i njëjti trend ka vazhduar edhe në vitin 2024, me 8,021 ndërmarrje të reja të regjistruara deri në gusht, mesatarisht rreth 1,000 ndërmarrje të reja në muaj. Ministri shprehu besimin se deri në fund të vitit, ky numër do të arrijë në rreth 12,000 ndërmarrje të reja.

Në postimin e tij, Murati u shpreh se këto janë “fakte” dhe kritikoi opozitën për pretendimet se numri i ndërmarrjeve ka rënë gjatë vitit 2023. Sipas tij, këto të dhëna dëshmojnë të kundërtën dhe tregojnë një trend pozitiv për zhvillimin ekonomik të vendit.

Postimi i plotë i Hekuran Muratit:

Sipas ASK-së, gjatë vitit 2023 janë shtuar 9,807 ndërmarrje të reja neto, pra 11,409 ndërmarrje të regjistruara të reja dhe 1,602 ndërmarrje të shuara.

I njëjti trend ka vazhduar edhe në vitin 2024, ku për 8 muajt e parë kemi 8,021 ndërmarrje të reja të regjistruara, apo mesatarisht 1 mijë regjistrime të reja në muaj. Kjo na bën të besojmë që deri në fund të vitit do të kemi rreth 12 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara.

Këto janë faktet.

Ndërsa opozita në anën tjetër bën huqjen e radhës duke pretenduar se në vitin 2023 ka pasur rënie të numrit të bizneseve.

 

 Image