Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret sot në takim ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yaşar Güler, i cili gjendet për vizitë zyrtare në vendin tonë. Zyra e Presidentes Osmani njofton se takimi nis në orën 13:35.
Përmes një njoftimi për medie, më herët, është bërë e ditur ministri turk do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes të Turqisë, Yaşar Güler, sot do të pritet edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Ceremonia zyrtare e pritjes do të zhvillohet nga ora 09:00 dhe do të shoqërohet me togun ceremonial të FSK-së. Të dy ministrat do të mbajnë takimin kokë më kokë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ministri Güler, do të pritet në takim nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Javën e kaluar, gjenerali turk Ozkan Ulutash mori komandën e 4,500 ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke përfshirë 780 ushtarë turq. Pritet që deri në fund të vitit, numri i kontingjentit turk në KFOR mund të arrijë në 1 mijë pjesëtarë.
Në fjalimin e tij të parë si komandant i KFOR-it, Ulutash tha se ishte krenar që mori detyrën e tij si oficeri i parë turk në krye të këtij misioni të NATO-s.