Ministria e Arsimit e konfirmon se orët e humbura gjatë grevës do të kompensohen

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendimin në lidhje me orët e humbura gjatë grevës 3 javëshe të punëtorëve të arsimit.

Orët e humbura do të kompensohen, transmeton lajmi.net.

Vendimi është bërë gati dhe sot ose nesër do të publikohet, ku përfshihet edhe vendimi për  kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe këshilltari i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi.

“Vendimi është gati dhe sot ose nesër do të publikohet”, është shprehur Gashi për lajmi.net duke konfirmuar gjithashtu se orët e humbura do të kompensohen.

Sa i përket mënyrës së kompensimit të këtyre orëve, Gashi ka thënë se është e kombinuar.

“Mënyra e kompensimit është e kombinuar, kështu kanë qenë edhe sugjerimet e komunave”, ka thënë Gashi.

Vlen të theksohet fakti se punëtorët e arsimit patën hyrë në grevë duke kërkuar një rritje prej 30 për qind të koeficientit të pagave.

Greva zgjati për rreth 3 javë derisa u arrit marrëveshja mes institucioneve të vendit dhe punëtorëve të arsimit ku u parapa edhe ngritja e koeficientit të pagave.

Kjo ngritje e pagave nuk ishte e kënaqshme për të gjithë pasi mësimdhënësit e ciklit të ulët klasor kanë shprehur pakënaqësitë e tyre duke u ankuar edhe tek presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Mirëpo, Ligji i Ri i Pagave në heshtje u miratua pas skadimit të afatit 8 ditor brenda të cilit presidenti obligohet të miratoj ose refuzoj ligjin.

Mirëpo presidenti Thaçi nuk morri asnjë vendim, dhe ligji u miratua në heshtje.

Por, nxënësit nuk do të humbin nga e gjithë kjo, orët e humbura do të kompensohen. /Lajmi.net/

Orët e humbura do të kompensohen si më poshtë:

5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019;

5 (pesë) ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019;

5 (pesë) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019;.