Një rast i tmerrshëm i sulmit seksual është publikuar dje dhe dyshohet të ketë ndodhur në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ku mësimdhënësi Valentin Selmanaj është filmuar fshehurazi duke e puthur një nxënëse të klasës së shtatë.
Lidhur me këtë rast, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Paparaci të martën ka provuar të kontaktojë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci por që e njëjta nuk ka qenë e qasshme.
Për këtë rast nuk kanë reaguar as institucionet kryesore të vendit, përfshirë këtu qeverinë dhe presidencën.
Heshtjen e kanë vazhduar edhe të zgjedhurit e popullit, të paktën deri tani nuk ka pasur asnjë reagim.
Shpeshherë janë të zëshme, por dhe organizatat për mbrojtjen e fëmijëve kanë zgjedhur heshtjen.
Përveç arrestimit, Selmanaj edhe është suspenduar nga puna pasi ndaj tij kanë nisur hetimet, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.
Kjo ngjarje e tmerrshme që ka ndodhur brenda hapësirave të shkollës, i ka kushtuar me arrestim dhe ndalim mësimdhënësit të dyshuar.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit.
“Prokurori i shteti ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale, i cili ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit. Me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm Seksual”.